Qeveria ka vendosur të kalojë në pronësi të saj 80.9 hektarë në Durrës për ndërtimin e projektin investues Strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.
Vendimi është publikuar në fletoren zyrtare, ku këshilli i ministrave njofton transferimin e pronave shtetërore nga bashkia Durrës te ministria e financave dhe Ekonomisë.
Në këtë mënyrë, pasuritë e paluajtshme shtetërore vihen në dispozicion pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palës shqiptare dhe shoqërisë “Symphony Real Estate Development” sh.p.k.
“Me propozimin e ministrit të financave dhe ekonomisë, këshilli i ministrave Vendosi: Transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike (FPPMIS), i cili administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr. 8514, Bashkia Durrës, me sipërfaqe totale 80.9 (tetëdhjetë pikë nëntë) ha, të përcaktuara në shtojcën 1 dhe në planvendosjen, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Në këtë marrëveshje do të përcaktohet forma e pjesëmarrjes së shtetit në investim dhe mënyra e vënies në dispozicion të pronës shtetërore.
Vendim i plotë:
Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për Mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të Paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr. 8514, bashkia Durrës, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues Strategjik “marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga autoriteti portual Durrës te ministria e financave dhe Ekonomisë. Në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001, “për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe të neneve 27 e 31, të ligjit nr. 55/2015, “për investimet Strategjike në republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të financave dhe ekonomisë, këshilli i ministrave
Vendosi:
Transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike (FPPMIS), i cili administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr. 8514, Bashkia Durrës, me sipërfaqe totale 80.9 (tetëdhjetë pikë nëntë) ha, të përcaktuara në shtojcën 1 dhe në planvendosjen, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Autoriteti Portual Durrës te Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të pasurive të paluajtshme të përcaktuara në shtojcën 1 dhe planvendosjen, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Heqjen e pasurive të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, nga lista e inventarit të pasurive bashkëlidhur vendimit nr. 586, datë 10.9.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat u kalojnë në përgjegjësi administrimi shoqërive anonime dhe ndërmarrjeve të sistemit të transportit detar dhe ajror”, të ndryshuar.
Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet sipas përcaktimeve të vendimit nr. 14/6, datë 2.12.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes/kontratës së bashkëpunimit, ndërmjet entitetit përfaqësues të palës shqiptare të ngarkuar për këtë qëllim dhe shoqërisë “Symphony Real Estate Development” sh.p.k., në të cilën do të përcaktohet forma e pjesëmarrjes së shtetit në investim dhe mënyra e vënies në dispozicion të pronës shtetërore, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Përdorimi i pronës së paluajtshme shtetërore për projektin strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)” të realizohet sipas fazave të përcaktuara në vendimin nr. 14/6, datë 2.12.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, i cili fillon me fazën e zhvillimit pilot.
Pronat, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, të përdoren nga Autoriteti Portual Durrës deri në zhvendosjen përfundimtare të tij, sipas fazave të zbatimit të projektit, të përcaktuara në vendimin nr. 14/6, datë 2.12.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike. Autoritetit Portual Durrës i ndalohet të ndryshojë destinacionin, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
Aplikimi për leje/licenca dhe autorizimet e nevojshme për realizimin e projektit strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, në përputhje me afatet e parashikuara, do të realizohen sipas legjislacionit për investimet strategjike.
Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe të gjitha institucionet, të cilat kanë në përgjegjësi administrimi pasuri të përfshira në planvendosjen bashkëlidhur këtij vendimi, të kryejnë të gjitha procedurat përkatëse për vënien në dispozicion të tyre, për projektin investues strategjik “Marina dhe jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, me subjekt investues “Symphony Real Estate Development” sh.p.k.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Autoriteti Portual Durrës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Për të lexuar vendimin e plotë klikoni në linkun e mëposhtëm, faqja 99:
https://qbz.gov.al/eli/fz/2022/1/a761ebe4-702c-4ed0-8cf4-977179af978f





