“Duke shfaqur një plazh të pacenuar natyror prej 14 km gjatësi, komuniteti do të jetë shtëpia e mbi 12,000+ njësive rezidenciale me më shumë se 80,000 m2 të parqeve dhe hapësirave të hapura, si dhe njësive argëtuese, të shërbimit dhe restoranteve. Zhvillimi i Jahteve dhe Marinës së Durrësit do të përfshijë gjithashtu ekskluzivisht një marinë dhe terminal Kroçerash që do të lidhë Durrësin me shkëlqimin vezullues të Detit Adriatik e më gjerë”.
Ky është përshkrimi i projektit që kompania “Symphony Real Estate Development” ka publikuar në faqen zyrtare të saj (https://www.durresyachtsmarina.com). Projekti pritet të nisë të aplikohet në portin e Durrësit duke filluar nga marsi i këtij viti.

Në faqen zyrtare është publikuar gjithashtu videoja 3D e portit turistik, investim që pritet të kapë vlerën 2 miliardë euro, si dhe broshura që hedhin më shumë dritë mbi projektin, mbi atë çfarë do të përfaqësojë ai, si do të transformohet hapësira e tanishme portuale në një port jahtesh luksoze dhe zonë rezidenciale që do të konkurojë me qytetet më të famshme turistike të pellgut të Mesdheut.

“I vendosur për t’u bërë një nga qendrat më dinamike në Rivierën e Adriatikut, Durrës Yachts & Marina do të jetë një qytet plot jetë, me gjithçka që nevojitet për një jetë të sofistikuar të shekullit të 21-të. Nga baret, restorantet, dyqanet, klubet e mirëqenies dhe private, te aktivitetet për fëmijë, festivalet dhe ngjarjet kulturore – qyteti do t’i ketë të gjitha dhe më shumë!”,- shkruhet në broshurën prezantuese të projektit.

Kompania “Symphony Real Estate Development” flet gjithashtu për një evolucion të natyrshëm që do t’i ndodhë qytetit, ndërsa masterplani i projektit flet për lagje të ndryshme që do të kenë specifika të veçanta.

“Jahtet & Marina e Durrësit do të bëhen një evolucion i natyrshëm i qytetit. Një vend ku njerëzit mund të jetojnë të rrethuar nga bregu i detit, plazhet e reja, restorantet dhe dyqanet. Një destinacion i ri emocionues për Shqipërinë. Masterplani do të përbëhet nga lagje të ndryshme të tilla si Marina, Plazhi, Parku Bregdetar, Qyteti i Vjetër dhe Komunitetet e Bregut të Detit.”,- shkruhet në faqen zyrtare të kompanisë.

Në portin turistik që do të ndërtohet do të akomodohen jahte dhe superjahte deri në 120 m, ndërkohë që kompania thekson se me ofrimin e “komoditeteve dhe shërbimeve të jashtëzakonshme për pronarët e jahteve dhe varkave, Durrës Yachts & Marina do të jetë mjedisi i një jetese luksoze buzë detit, me hotele të shkëlqyera, rezidenca private, shëtitore, dyqane, bare restorante dhe argëtim”.

Sot u bë publik lajmi se qeveria ka vendosur të kalojë në pronësi të saj 80.9 hektarë në Durrës për ndërtimin e projektin investues Strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, këshilli i ministrave njofton transferimin e pronave shtetërore nga bashkia Durrës te ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Në këtë mënyrë, pasuritë e paluajtshme shtetërore vihen në dispozicion pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palës shqiptare dhe shoqërisë “Symphony Real Estate Development” sh.p.k.
Lexo edhe





