Marash Kumbulla po përjeton një dimër të ftohtë dhe më shumë pikëpyetje në lidhje më të ardhmen e tij.
Qendërmbrojtësi kuqezi dëshiron të qëndrojë tek Roma, me shpresën për të bindur Jose Mourinhon, por kjo nuk duket aspak e lehtë dhe në Itali e shohin gjithnjë e më shumë larg kryeqytetit. Verdhekuqtë janë vënë në lëvizje në këtë merkato janari për të plotësuar disa nga dëshirat e teknikut portugez.
Special One kërkon të ketë në dispozicion një anësor të ri dhe sipas “La Gazzetta dello Sport”, në listën e dëshirave qëndron edhe Mergim Vojvoda, anësori i Torinos.
Futbollisti i përfaqësuese së Kosovës po gjen gjithnjë e më shumë hapësira në formacionin e Juric dhe nuk do të jetë e lehtë t’ia rrëmbejnë ekipit granda por drejtuesit e Romës kanë një as nën mëngë, Marash Kumbulla.Qendërmbrojtësi kuqezi është një beniamin i trajnerit Juric, me të në stol Kumbulla shpërtheu tek Verona.
Në këto kushte, Juric nuk do të ishte kundër një shkëmbimi të tillë, por edhe në këtë rast dëshira e lojtarit pritet të jetë përcaktues.





