Bashkia Durrës ka planifikuar disa investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës rrugore përgjatë këtij viti. Në specifikimet e buxhetit, që u miratua me datë 23 dhjetor 2021, bie në sy fakti se rikonstruksionit do t’i nënshtrohen akset rrugore:

“Fetah Bllaca” – 14.000.000 lekë

Rruga tek Vila – 2.500.000 lekë

“Kashta e kumtrit (loti II)  – 32.027.058 lekë

Ndërkohë, përgjatë këtij viti pritet të përfundojnë rikonstruksionet e rrugëve “Danubi”, “Shkumbini”, “Shën Pjetër”, “Tepelena”, “Kastrioti”, “Rruga e Ohrit” (loti II) si dhe rruga paralel me hekurudhën-Plazh (Apulia).

Rikonstruksioni i këtyre akseve rrugore ka nisur vitin që lamë pas dhe do të përmbyllet në 2022-in.

Në buxhetin afatmesëm të bashkisë është parashikuar rikonstruksioni i rrugës “Aleksandër Goga” (segmenti Muzeu Deshmoreve –Spitali) investim që kap një vlerë të konsiderueshme prej 225 milionë lekë dhe që pritet të realizohet përgjatë viteve 2023-2024.

Një investim tjetër i rëndësishëm që do të realizohet gjatë këtij viti dhe do të finalizohet vitin e ardhshëm është rikualifikimi i bllokut të parafabrikateve në lagjen nr.18.

Ky investim është parashikuar në dy lote, secili me vlerë 100 milionë lekë. Loti i parë do të nisë këtë vit dhe finalizohet vitin e ardhshëm, ndërsa loti II do të realizohet në vitin 2024.

Përgjatë këtij viti do të ndërhyhet edhe në fasadat e pallateve, investim që në buxhet arrin vlerën 25 milionë lekë.

M.B.