Një muaj e gjysëm pas shembjes së gjimnazit “Naim Frashëri”, inertet nuk janë larguar.

Rrënojat e shkollës kanë mbetur si në datën 24 nëntor, kur fadroma e IMT Durrës shembi godinën ikonë të qytetit, ku breza të tërë durrsakësh kanë ndjekur shkollën e mesme.

Për banorët e zonës, mos largimi i inerteve dhe vonesat në procesin e rindërtimit vështirësojnë rikthimin e nxënësve në shkollë.

Por qëndrimi i inerteve për më shumë se 1 muaj favorizon shumë të papunë që të sigurojnë të ardhura minimale nga nxjerrja e skrapit nga rrënojat. Prej më shumë se dy javësh, disa të rinj punojnë në këtë zonë dhe siç rrëfen njëri prej tyre për “DurrësLajm” sigurojnë bukën e gojës për familjen.

“Gati 2 javë kam që punoj këtu, nxjerr bukën e kalamajve. Mesatarisht nxjerr 10 mijë lekë në ditë. Më mirë të punoj këtu sesa të shkoj të vjedh dhe të futem në burg. Nuk e bëj dot, nuk ma lejon ndërgjegja. Do vazhdoj këtu derisa të vijnë të largojnë inertet. se më pas nuk na lejon më njeri”,- rrëfen babai i 3 fëmijëve të mitur.

Deri më tani, në bashkinë Durrës kanë përfunduar së ndërtuari 14 objekte arsimore. Më datë 29 tetor, bashkia e Durrësit zhvilloi dëgjesë publike për 4 shkolla, ndërmjet të cilave ishte dhe “Naim Frashëri”.

Gjatë dëgjesës u paraqitën projektet përfundimtare të zgjedhura nga dëgjesat publike të zhvilluara me komunitetet e zonave në objektet arsimore përkatëse.

Shkolla e mesme “Naim Frashëri” është mes objekteve arsimore, që do të rindërtohen nga programi EU4School i BE.

Të gjitha godinat shkollore që do të rindërtohen nga e para do të ndërtohen sipas standarteve të Eurocode-8.

M.B.