Skulpturat e yjeve të skenës John Lenon, Bob Dylan, Tina Turner dhe Mick Jagger qëndrojnë prej vitesh të harruar në një cep të oborrit të NSHK-së.
Mbretëreshës së Rock ‘n’ Roll-it i mungon pjesa e poshtme e këmbëve, ndërsa pranë qëndron një kosh mbeturinash, si për t’u kujtuar të famshmëve se ditët e lavdishme kanë mbetur pas.
Deri në vitin 2017, 4 skulpturat e parkut ishin pjesë e projektit të bashkisë “Idhuj në bronz” dhe u vendosën në lulishten përballë Torrës Veneciane, ku tërhiqnin jo pak vëmendjen e turistëve të huaj, që ndalnin të shkrepnin foto me ta. Madje edhe ish-kryebashkiaku Dako nuk i shpëtoi një fotoje me solistin e grupit Beatles.
Me nisjen e punimeve të Velierës, skulpturat në bronz u hoqën nga aty dhe prej 4 vitesh presin destinacionin e radhës. Por pritja mund të vazhdojë gjatë…
Ato mund të pësojnë fatin e shatërvanit historik të Durrësit, që kur u hoq drejtuesit lokalë premtuan se do të vendosej në një shesh tjetër të qytetit, por sot e kësaj dite qëndron i braktisur në një nga kalatat e portit.
Në buxhetin e këtij viti, bashkia e Durrësit ka planifikuar të shpenzojë 50 milionë lekë të vjetra për realizimin e veprave të artit nëpër rotondat e qytetit dhe 120 milionë lekë për skulptura në shëtitoren “Taulantia”.
Plot 170 milionë për vepra të reja arti, ndërkohë që 4 skulpturat në bronz, në oborrin e NSHK-së mund të qëndrojnë edhe një vit tjetër përkrah kazanëve të mbeturinave.
Durrësi është i varfër përsa i përket skulpturave të parkut, por, pavarësisht kësaj, veprat që u vendosën me shumë bujë pak vite më parë mbeten jashtë vëmendjes së bashkisë.
Nga ana tjetër, ato të ekspozuara vitet e fundit në shëtitoren “Taulantia” janë pritur me reagime të ndryshme nga ana e qytetarëve. Në hyrje të shëtitores ngrihet perëndia ilire Redon, që megjithëse erdhi nga lashtësia në ditët tona, nuk mundi ta përballonte erën e fortë të fund dhjetorit të vitit të kaluar.
Nëse shkojmë më tej, veprat e artit në shëtitore duket se janë përzgjedhur krejt rastësisht dhe kanë shumë pak lidhje me njëra-tjetrën, pasi diku shfaqen gladiatorët, më larg një peshkatar, një guackë apo një bust femre lakuriqe.
Megjithëse mund të risjellin në mendje Durrësin antik dhe lidhjen e pandashme të qytetit me detin, ato nuk krijojnë një lidhje harmonike njëra me tjetrën. Të tjerat që do t’u shtohen gjatë këtij viti nuk dihet nëse do të kënaqin pritshmëritë e artdashësve dhe qytetarëve.
Për më tepër, përsa kohë përzgjedhja e veprave të artit në një shesh apo shëtitore të Durrësit nuk bëhet paralelisht me projektet infrastrukturore, paratë e tatimpaguesve durrsakë do të shpenzohen për skulpturat e radhës, që pas ca vitesh mund të pësojnë fatin e trishtë të legjendave të muzikës Rock dhe Pop.
M.B.