Gazmend Oketa, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka paralajmëruar mbrëmjen e sotme se kryeministri Edi Rama do të bëjë ç’do përpjekje të ligjshme apo të paligjshme për të mbajtur bashkinë e Durrësit.
Sipas Oketës, Rama do të lëvizë të gjitha bandat në mënyrë që të fitojë në Durrës, sepse aty luhen interesa të mëdha ekonomike.
I ftuar në emisionin ‘Të Vaksinuarit ” me Aulon Kalanë në “Fax News”, Oketa tha se do të ishte tepër e vështirë përballë Ramës nëse opozita do të futej e përçarë.
Pjesë nga biseda
Oketa: Në gjykimin tim, përshkak të historikut, zoti Basha ka ardhur në vitin 2005, 8 vite ministër, e kështu me radhë, dhe nuk mund të kalohet në ekstreme të tilla, me antimitingje apo me gjuajtje me vezë. Por përshkak të faktit që vijmë të gjithë nga e njëjta llogore, kjo ka kuptim kur ja bën kundërshtarit, por dhe aty me një lloj mase.
Nëse demokratët e thjeshtë do të shohin interesin e tyre ne 6 bashkitë, ata vetë duhet të bëjnë përpjekje të gjejnë gjuhën e komunikimit dhe të mbështesin kandidaturat që afrojnë të djathtën dhe japin shance për të fituar.
Nëse bëhet e kundërta dhe dilet me 2 apo më shumë kandidatë do i lehtësohet fitorja PS-së. Të gjitha palët janë treguar disi të painteresuara sa i takon efektit politik. Nenkryetari i ri i PD-së tha ky nuk do të jetë një test për z.Basha.
Kalaja: Janë 6 bashki. Ju e shikoni si test?
Oketa: Për mua më shumë se për rezultatin, janë një test për mënyrën si do sillen strukturat. Nëse do i kthehesha bashkisë së Durrësit, mund të them me bindje që tani, Kryeministri Rama, qoftë për faktin se është deputet i Durrësit, por për interesat ekonomike që ka në bashkinë e Durrësit, nuk do të lërë gur të ligjshëm apo të paligjshëm pa lëvizur për ta mbajtur këtë bashki.
Në Durrës luhen interesa të mëdha ekonomike. Rama do të luajë të gjitha bandat që ka pasur vazhdimisht në mbështetje. Imagjino të shkosh me opozitë të ndarë, absolutisht do ta demotivojë një qytetar që kërkon rotacion politik. Është e pashpjegueshme që sot, dalin përfaqësuesit e opozitës, të cilët në 25 prill ishin në listën e PD-së, dhe kryetari nuk ka asnjë telefonatë, asnjë takim të deklaruar.