Në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars, PD, si rrallëherë në historinë e saj, do të përfaqësohet me dy kandidatë. Njëri/a do të jetë nga PD e Bashës, ndërsa kandidati/ja tjetër pritet të regjistrohet në KQZ si i pavarur dhe do të përfaqësojë Komisionin e Rithemelimit, lëvizje kjo e iniciuar nga lideri historik Sali Berisha.
Nga burime zyrtare të Komisionit të Rithemelimit, “DurrësLajm” mëson se shtabi elektoral i kandidatit/es në garë për kreun e bashkisë do të drejtohet nga deputeti Oerd Bylykbashi.
Të njëjtat burime konfirmojnë se janë në fazën e mbledhjes së kandidaturave dhe gjatë javës së ardhshme do të zhvillohen primaret për të përzgjedhur kandidatin/en që gëzon mbështetjen më të madhe nga baza.
Deri më tani, emri që qarkullon më së shumti mes mbështetësve të Berishës në Durrës është ai i urbanistit Ardian Muka, që edhe më herët ka shfaqur ambicien e tij për të garuar për postin e kryebashkiakut.
Kujtojmë se Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit vunë theksin në këtë mënyrë përzgjedhjeje për organet drejtuese të partisë, por edhe për kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë në zgjedhjet e ardhshme. Duket se këtë procedurë do ta vënë në zbatim duke nisur nga këto zgjedhje të pjesshme që mbahen në 6 bashki.
Po ndërsa nga kampi i Berishës gjërat duken deri diku të qarta, krejt ndryshe paraqitet situata në PD-në e Bashës.
Deri më tani, askush nuk di të thotë nga PD Durrës se cilin do të caktojë Basha për të drejtuar fushatën në qytetin bregdetar. Në zgjedhjet e 25 prillit, ishte Edi Paloka i emëruar drejtues qarku, por pas pozicionimit të ish-kreut të Këshillit Kombëtar në krah të Berishës, Basha duhet të mbështetet tek një tjetër emër.
Të njëjtat burime nga PD-ja lokale konfirmuan se ata presin së shpejti zyrtarizimin e emrit të drejtuesit të fushatës në qytetin bregdetar. Mbase kjo mund të ndodhë gjatë të shtunës, kur kreu i PD ka njoftuar takim me strukturat lokale në Pallatin e Kulturës.
Basha njihet për vendimet e marra në limitet kohore të garave elektorale dhe mbase edhe këtë herë nuk do ta zhgënjejë bazën dhe mbështetësit e tij.
M.B.