Drejtuesit e Interit nuk kanë bërë asnjë përforcim deri tani, por ditët e fundit të merkatos së janarit pritet të sjellin dhuratën e parë për trajnerin Simone Inzaghi. Ivan Perisic ndodhet në vitin e fundit të kontratës, rinovim mes palëve nuk do të ketë, kroati do të largohet si lojtar i lirë në verë dhe kampionët e Italisë kanë zgjedhur ta zëvendësojnë atë me Filip Kostic.
Sulmuesi i majtë serb është pjesë e Eintracht Frankfurt prej vitit 2018. Emri i tij është lidhur edhe në të kaluarën me Interin, që ka bërë ofertën e parë zyrtare për klubin gjerman.
Huazim deri në fund të sezonit me të drejtë blerje, por tek Eintrachti nuk janë dakord. 29-vjeçari kërkon me çdo kusht transferimin te zikaltrit dhe shpreson që klubi i tij të pranojë ofertën e Interit. Giuseppe Marotta nuk heq dorë dhe po beson tek arritja e një marrëveshje me homologët gjermanë, për të vendosur Kostic nën urdhrat e trajnerit Inzaghi për pjesën e mbetur të sezonit.





