Mbrëmja e sotme apo mëngjesi i së mërkurës pritet të jetë dita e finalizimit të kandidaturave të PD-së për zgjedhjet e pjesshme lokale në Durrës.

Gjasat janë që PD e Bashës dhe Komisioni i Rithemelimit të shkojnë në zgjedhje me kandidatura të veçanta. Ndarja mes dy grupimeve në PD është e thellë dhe asnjë nga palët nuk duket se është e gatshme të shtrijë dorën e bashkëpunimit, sidomos pas lumit të akuzave të ndërsjellta të hedhura në debatin politik.

Më shumë sesa përballje e drejtpërdrejtë me rivalin e përhershëm, PS, këto zgjedhje lokale do të shërbejnë si një provë force mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

Nga kontaktet e vazhdueshme me palët e përfshira në ethet elektorale, “DurrësLajm” mëson se mbrëmja e kësaj të marte pritet të zgjidhë dilemën finale se cilët do të jenë kandidatët zyrtarë që do të vihen përballë Emiriana Sakos më 6 mars.

Burime konfidenciale nga dega lokale e PD-së konfirmojnë se gjatë gjithë këtyre ditëve janë zhvilluar konsulta të shumta me strukturat e degës dhe konkludimi në një emër pritet të jetë çështje jo më ditësh, por orësh. Basha nuk pritet të rezervojë ndonjë surprizë në moment të fundit dhe kandidati i tij në Durrës do të jetë kreu i komanduar i degës, Luan Hoti.

Kampi tjetër i PD, mbështetësit e Berishës, e kanë shtyrë edhe me një ditë afatin e dorëzimit të kandidaturave, që më pas do t’i nënshtrohen primareve, duke lënë si afat final mesnatën e kësaj të marte.

Postimi i bërë dje nga lideri historik Sali Berisha, në profilin e tij zyrtar, nuk lë më vend për ekuivok lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje me kandidatët e vet.

“Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë të marrim pjesë”,- shkruante Berisha mbrëmjen e së hënës.

Më shumë sesa një betejë kundër Ramës për marrjen e 6 bashkive, mes të cilave edhe Durrësit, kjo i përngjet një lufte brenda llojit, një matje force e drejtpërdrejtë që në fund pritet të përcaktojë fatin e PD-së në muajt në vazhdim.

Palëve u mbetet vetëm të karikojnë mbështetësit, që t’u dalin sa më shumë në votime dhe të hedhin votën për kandidatin respektiv, që nuk ka shanse të fitojë garën për bashkinë, por të paktën garën brenda llojit të vet.

M.B.