Dy kandidatura janë deklaruar deri më tani publikisht për primaret që do të zhvillohen në Durrës për përzgjedhjen e kandidatit me të cilin Komisionit i Rithemelimit i PD-së do të garojë në zgjedhjet lokale të 6 marsit.

Drejtuesi politik i shtabit elektoral Oerd Bylykbashi zbulon në një intervistë për “DurrësLajm” emrat e dy kandidatëve, por edhe detaje nga gara e primareve të së dielës dhe më pas fushata elektorale për bashkinë e qytetit bregdetar.

Urbanisti Ardian Muka dhe 28-vjeçarja Silvja Gjepali, e diplomuar për Teknologji Informacioni, janë deri më tani dy kandidaturat që kanë plotësuar formularin e përgatitur nga Komisioni i Rithemelimit.

Deputeti Bylykbashi bën të ditur se nëse do të ketë edhe ndonjë kandidat/e tjetër që do të plotësojë formularin në primaret e së dielës që nisin në orën 08.00, ai/ajo do të përfshihen në procesin e votimit “një anëtar, një votë”.

Dy kandidatët e propozuar nga strukturat e PD-së, por të njohur si mbështetës të Bashës, Luan Hoti dhe Manjola Luku, nuk kanë plotësuar deri më tani formularin e Komisionit të Rithemelimit, çka nënkupton që në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, PD do të dalë me dy kandidatë të veçantë.

Të plotë intervistën e deputetit Bylykbashi e ndiqni në videon e mëposhtme.  

M.B.