Ndërsa janë ditët e fundit para zyrtarizimit të kandidaturave me të cilat partitë politike do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, reflektorët janë të kthyer të gjithë tek PD, e cila pas përplasjeve të forta Basha – Berisha duket se do të kandidojë me 2 kandidatë të veçantë.

Herë pas here zërat për daljen me një kandidat të përbashkët kanë ardhur nga brenda PD, sidomos nga figura të njohura të selisë blu, por të pozicionuar krah kryetarit Basha.

Komisioni i Rithemelimit ka ftuar demokratët e Durrësit që të dielën të zgjedhin me votë kandidatin që ata preferojnë për t’u përballur me kryetaren në detyrë Emiriana Sako.

Në një kohë, kur emri i urbanistit Ardian Muka pritet të jetë kandidati nga radhët e mbështetësve të Berishës, ka ardhur një reagim nga nënkryetari i degës lokale Arlind Boshku.

Apeli i Boshkut është për daljen në zgjedhje me një kandidat të përbashkët, sepse siç shkruan ai në një status në rrjete sociale, vetëm kështu opozita ka mundësi të fitojë përballë Partisë Socialiste. Qëndrimin e tij ai e mbështet në një tabelë të votave të mbledhura si opozitë e bashkuar.

“Tabelë për të kuptuar qartë që të bashkuar fitojmë!

Nëse mbledhim votat opozitare 52002 vota kundrejt 52293 vota PS! Pra gara do të jetë e fortë dhe jo e pamundur!

Nëse Opozita do të kandidojë me dy kandidatë gara është shumë e vështirë për të thënë e pamundur! Pra, dua të them që këtu humbin vetëm demokratët nëse dalin dy kandidatë! Do ti bëja një thirrje të sinqertë të gjithë faktorëve polikë të bashkohen e të bëhen 1. Deri me 6 mars të gjithë duhet të jemi të bashkuar. Pas datës 6 mars le të vazhdojë lufta për rithemelimin apo për riorganizimin e PD”,– shkruan Boshku.

Duke sqaruar pozicionin e tij në përballjen Basha – Berisha, nënkryetari Boshku bën sërish apel që të mos ketë dy kandidatura nga demokratët, sepse kjo shkon në të mirë të PD.

“Personalisht kam mbajtur një pozicion neutral duke shkuar në Foltoren e Z.Berisha po ashtu edhe në Partinë Demokratike si nën Kryetar i PD por edhe si anëtar i Këshillit Kombëtar!

Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje me kandidatin e saj dhe do ti fitojë zgjedhjet! Uroj të mos ketë kandidat të dytë për të dëmtuar sado pak demokratët! Uroj më të mirën për PD, partinë ku unë do të mbetem gjatë gjithë jetës time!

Ps. Ky status nuk është për të nxitur debat e as keqkuptime!”,- përfundon statusin e tij Boshku.