Në Durrës, ashtu si dhe në 5 qytete të tjera po mbahen primaret e thirrura nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ftuar anëtarët e PD në degët Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Shkodër që të bëhen pjesë e procesit të votimit në primare për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar.

Në Durrës garojnë përballë njëri-tjetrit urbanisti Ardian Muka dhe 28-vjeçarja Silvja Gjepali e diplomuar për Teknologji Informacioni.

Drejtuesi politik i shtabit elektoral Oerd Bylykbashi, në një prononcim për “DurrësLajm” deklaroi se në zgjedhjet e ditës së sotme, që po aplikohen për herë të parë në vendin tonë, kandidatin më të preferuar nga anëtarësia, do ta zgjedhë pikërisht kjo e fundit dhe jo vula e kryetarit.

KQZ në këto zgjedhje njeh PD-në e Lulzim Bashës, ndërkohë që kandidatët e Komisionit të Rithemelimit në 6 bashki pritet të regjistrohen nën logon e një koalicioni partish aleate.

Këtë fakt nuk e fshehu as deputeti Bylykbashi, i cili tha se negociatat dhe bisedimet janë në fazën përfundimtare tashmë.

M.B.