Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka denoncuar ditën e sotme drejtoreshën e Tatimeve në Durrës Dalina Teferiçi si dhe dy vartësit e saj.

Ministri tha se këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë gjobitur pa kontroll fizik, pra nga zyra, me një shumë 10 milionë lekësh një subjekt në Qerret.

Ndërkohë, subjekti për padrejtësinë që i është bërë është ankuar në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërsa, pas denoncimit ka ndodhur edhe një hakmarrje ndaj subjektit, pasi është gjobitur sërish pa asnjë kontroll fizik, nga zyra me 33 milionë lekë.

Rasti i fundit që kam menduar të ndaj me ju sot i përket Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Kemi rekomanduar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore për Drejtoreshën Rajonale të Tatimeve Durrës D.T, Përgjegjësin e Sektorit D.XH dhe inspektorin B.L. Këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë gjobitur pa kontroll fizik, pra nga zyra, me një shumë 10 milionë lekësh një subjekt në Qerret. Subjekti, me të drejtë, pas këtij veprimi ka kërkuar të drejtën e tij duke u ankuar edhe në Drejtorinë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë.

Pasi specialistët tanë kanë nisur verifikimet, nga tre të lartpërmendurit ka mbërritur ajo që unë po e quaj hakmarrje ndaj subjektit; sërish pa asnjë kontroll fizik, nga zyra, I kanë vënë një tjetër gjobë prej 33 milionë lekësh. Një abuzim I pastër, arrogant madje me pozicionin e besuar nga shteti për t’I shërbyer qytetarëve.“, tha Manja.