Fushata elektorale ka filluar të japë frytet e saj!

Këtë të dielë kandidati i koalicionit opozitar “Shtëpia e lirisë”, Ardian Muka ishte në zonën e ish-Kënetës.

Muka zhvilloi një takim me dhjetra banorë të zonës së njohur ndryshe si “Durrësi i ri”, ku një kanal i mbuluar nga bimësia është kthyer në vendgrumbullim mbetjesh.

Menjëherë me ardhjen në terren të kandidatit Muka, mbërritën dhe punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, të cilët nisën të pastronin mbetjet urbane, që kishin “pushtuar” kanalin.

Prej ditësh mbeturinat nuk hiqeshin në rrugën “Vëllazërimi”, por mjaftoi takimi dhe mbledhja e dhjetra qytetarëve, që të nxiste bashkinë të punonte”, thotë Muka në një postim në “Facebook”.

Ai komunikoi gjatë dhe u njoh nga afër me problemin e qytetarëve, të cilëve u garantoi se “nga data 6 mars këtë punë ne do të fillojmë ta bëjmë siç duhet, të ardhurat e qytetarëve do të shkojnë për të përfunduar punët në shërbim të qytetarëve dhe jo për t’i marrë për t’i futur nëpër xhepa Bashkia e Durrësit.”

Për më tepër ndiqni videon e mëposhtme: