Nga BUJAR QESJA
20 shkurti 2022! Në pamje të parë një ditë si të gjithë të tjerat. Por jam i sigurtë që në Durrës nuk mund ta trajtojnë të tillë. Ndjehet një boshllëk. Shpirtit tonë iu hoq një mundësi për të qenë i qetë. Ja sepse! Në orët e para të këtij 20 shkurti dhe të këtij viti, konsumoi frymëmarjen e fundit, një nga më të mëdhenjtë e sportit durrsak. Superlativat dua ti kursej, por nuk mundem. Është nga më të mëdhenjtë e basketbollit. Është mburrja e jonë. Me atë krenoheshim. Dhe thonim shyqyr që e kemi ndërmjet nesh. Është Niko Hercek, apo siç kishte dëshirë t’ia shkruaja mbiemrin në origjinal Herczegh.
20 shkurt 2022! Durrësi sigurisht nuk ka si të jetë i qetë në të zakoshmen e tij. Pas largimit nga jeta të Bashkim Tagës më parë dhe më pas të Dhimitraq Gogës, Niko Hercek është i treti në këtë madhështi. Dhe kjo trio është me vite dritë larg të tjerëve. Janë nga ato babaxhanë, që përbëjnë historinë tonë të lojrave. Dhe ky Hercek e ndjente mungesën e Bashkim Tagës Tagës dhe Dhimitraq Gogës dhe përpiqej të na gëzonte me prezencën e tij. Vinte dhe na takonte. Minutat me Hercekun për mua dhe jo vetëm, mbeten nga më të bukurat, nga më të veçantat. Kishte shumë kulturë. Kishte parë shumë, e lëvizur shumë nëpër botë. Kishte krijuar një përvojë të jashtëzakonshme jetësore dhe këto na i përcillte edhe ne në raste të veçanta.
Me 3 shtator të vitit 1938 u lind në Durrës, nga një familje me origjinë hungareze Niko Herczegh. Dhe më thonte me humor:
-Ti mbase nuk e beson Bujar, por në Budapest është një rrugë me këtë mbiemrin tonë Herczegh.
Dhe befasia më e madhe e kulturës së këtij njeriu të rrallë ishte, kur më recitonte “Lahutën e Malësisë” të Homerit të Ballkanit Gjergj Fishtës, mësuar që në moshën 12 vjeçare dhe që nuk e harroi. Motra Çeçilia i kishte faluar një piano dhe Niko Hercek në vitet që u ndodh në Patra të Greqisë, luante në këtë instrument dhe grekët habiteshin kur e mësonin, që këtë muzikë e ekzekutonte një nga basketbollistët më të mirë shqiptarë.
Niko ynë në më pak se katër vite ka pësuar goditje të fuqishme, që sigurisht ia shkurtuan kufirin e jetës. Me 29 qershor 2018, në ditën e basketbollit durrsak u largua nga jeta Rita Hercek, gruaja e Nikos. Akoma më goditëse ishte, ndarja nga jeta e të vetmit djalë, e të vetmit fëmi që kishte. Me 9 qershor 2019 ndal frymëmarrjen Anton Herczegh. Dhe Niko mbeti i vetëm në familjen e tij. Por miqtë dhe shokët asnjëherë nuk e lanë të vetmuar Niko Hercekun, duke i rezervuar kudo dhe në çdo rast respekt të pakufishëm. Igli Goga i lidhi një pension të veçantë. Të gjithë i lidhëm nga pak diçka kësaj historie tonën, kësaj figure madhështore tonën, që si në të gjallë ashtu edhe tani që u largua nga jeta, mbetet krenaria e jonë e përjetësisë.
Janë orët e para të këtij përjetimi të veçantë dhe ngarkesa shpirtërore është e madhe. Jam në ngutje të këtyre rradhëve, pasi duam që ky lajm ti jepet publikut dhe të thuhet që nga 20 shkurti i vitit 2022, Durrësi ka një qytetar më pak, por ka një më shumë në kujtesë. Durrësi ka një dhimbje më shumë, që i shtohen edhe shumë dhimbjeve të kësaj kohe të mbrapshtë. Por humbja e Niko Hercekut është e një natyre tjetër. Kemi të bëjmë me një kalorës, që zotëroi në sfondin e një suksesi të pazakontë atë që mund ta quajmë me plot të drejtë, perandoria durrsake e basketbollit.
Që kur shkruan Niko Hercek, duket se i ke thënë të gjitha. Ke thënë, e çfarë nuk e ke thënë për të. Do të vendos në fund të këtij shkrimi disa gjëra të imta për Nikon, që është vetëm një pjesë e historisë së basketbollit. Por jam i sigurtë që sido që ta vërtitesh, ke thënë pak për këtë histori dhe krenari tonën.
Dhimbja është e madhe. Akoma më e madhe ndarja. Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga! Priteni produktin tuaj më të madh, më të shkëlqyerin Niko Hercekun. Tani u bëtë përsëri tre. Një treshe e përjetësisë, të asaj mrekullie që kurrë më nuk ka për ti ardhur basketbollit dhe sportit durrsak.
Lamtumirë Hercek!JKrahas dhimbjes dhe lotëve na dhe kryelartësinë e një mburrje të pazakontë.
Jam i sigurtë që madhështinë e krijove vetë, ndërsa mosharresa dhe kujtesa është në dorën tonë.
Dhe këtë do ta bëjmë sa të kemi frymë!
Durrës: 20 shkurt 2022
Të veçanta
- Ushtroj në fillim skermën, huazuar nga sovjetikët.
- Më pas garoi në 110 m me pengesa dhe kërcim së gjati.
- Në ndeshjen Partizani – Lokomotiva në 1961 shënoi 40 pikë, mbase mbetet rekord i pashkruar, që çdo gjuajtje e Hercekut përfundonte në kosh.
- Niko Hercek ka stërvitur tre breza basketbollistësh:
1968-1973 N. Reka, N. Profkola, I. Dollani, L. Kalebota, I. Begovi, Q. Kërtusha, V. Agaraj, N. Jorgoni, J. Xhufka, M. Çumashi.
-1974-1982 B. Çela, L. Jani, B. Gashi, S. Hyseni, Zh. Noti, L. Aliaj, A. Belba.
-1978-1980 (Femra) A. Begovi, Zh. Averiku, Xh. Veterniku, Sh. Veterniku, H. Rrogozhina, R. Hysenbelli, E. Arapi
-1975 fitoi Kupën e Shqipërisë në basketboll për femra, e vetme në historinë e këtij sporti për Lokomotivën. - Nga viti 1993 jeton në Patra të Greqisë.
-Vitet e fundit i mbylli në vendlindje
Skeda sportive
- Lindur në Durrës më 3 shtator 1938
- Kombësia hungareze
- Jeta sportive përfshihet në intervalin kohor 1952-1968
- 1955 Kampion Kombëtar me Punën e Durrësit
- 1958, 1959, 1960 Kampion Kombëtar me Partizanin
- 1955 – 1965 Kapiten i ekipit përfaqësues
- 1960 mori titullin Mjeshtër Sporti
- 1957 pjesmarrës në Spartakiadën e ushtrive mike në Laipcig
- Titullar në ekipin përfaqësues në Kampionatin Ballkanik të të rriturve Bukuresht 1958
- Shkëlqen në kampionatin ballkanik të rinjve Bukuresht 1959
- 1960 në përfaqësuesen shqiptare në kampionatin ballkanik në Sofje
- 1963 Kampionati i ushtrive mike në Pekin
- 1963 Turne miqësor në RDP të Koresë
- 1963 angazhohet aktivisht në Lojrat Ndërkombëtare zhvilluar në Ganefo – Xhakartë
- 1968 – 1988 trajner i ekipeve për të rritur femra dhe meshkuj i Teutës
- 1972 në turneun miqësor të Teutës në Kosovë
- Drejton për disa vite edhe ekipin kombëtar të basketbollit për të rinj
- 1988-1993 u jep mësim nxënësve me profil basketbollin
- Është vlerësuar dhe dekoruar me mjaft medalje dhe urdhëra Pune dhe Naim Frashëri.
- 1993 – 1998 trajner me ekipet greke ARQEOS dhe IRAKLIS të qytetit të Patras.
- 1991 i akordohet titulli Mjeshtër i Merituar Sporti
- 1996 i jepet titulli Nderi i Sportit Shqiptar
-2021 i jepët titulli “Mjeshtër i Madh”NJOFTIM
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e dielë 20 shkurt 2022 u nda nga jeta një nga basketbollistët me të njohur durrsakë Niko Hercek.
Bëjmë me dije miqtë dhe shokët, ato që dëshirojnë ti japin lamtumirën e fundit kësaj figure madhore të basketbollit, që varrimi bëhet, të dielën e 20 shkurtit 2022, në orën 14.00 në varrezat e reja.