Gentian Diva dhe Alban Skonja, 40 dhe 39 vjeç mbetën të plagosur me armë zjarri rreth orës 01:54 minuta në Fushë-Mamurras.

Ata udhëtonin me makinë kur qëlluan nga kushërinjtë Kastriot Leshaj dhe Armando Lleshaj. Pas ngjarjes dyshja u largua nga vendi i ngjarjes. Ndërsa policia arrestoi 19-vjeçarin Andi Diva. Ai është nipi i Gendian Divës dhe ndodhej në shoqërinë e dy të plagosurve kur ndodhi ngjarja. Burime bëjnë të ditur se 19-vjeçari iu kundërpërgjigj të shtënave.

Sa i përket motiveve të ngjarjes, duket se shkak është bërë një vajzë, e cila mësohet se ndodhej në shoqërinë e të plagosurve dhe u ngacmua nga pala tjetër.

Megjithatë dinamika e plotë e ngjarjes mbetet për t’u sqaruar. Dy të plagosurit ndodhen në spital, ndërsa policia po punon për të kapur autorët e dyshuar të ngjarjes.

40-vjeçari Gentian Diva është vëllai i Enver Divës, i arrestuar si i implikuar në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në Durrës.

Gentian Diva u arrestua në vitin 2000 së bashku me Arben dhe Nazmi Divën si dhe me Astrit Lleshin, pasi në vendin e njohur si ura e Drojës në Mamurras, kanë grabitur me armë duke lënë të vdekur shoferin e një kamioni që udhëtonte drejt Kukësit.

Diva u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lezhës me 25 vite heqje lirie, dhe u lirua dy vite me parë./tvklan.al