Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp, tha se të ardhurat, shpenzimet dhe punësimi janë në rritje krahasuar me vitin 2020, ndërkohë u ndal dhe te rritja çmimeve.
Ibrahimaj u shpreh se pritet që çmimet të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit, duke përmendur këtu dhe çmimin e naftës që gjatë këtij muaji kapi shifra rekord, duke shkuar në 200 lekë për litër.
“Të ardhurat dhe shpenzimet janë rritur 21% në krahasim me një vit më parë. Edhe punësimi ka pasur një trajektore rritëse. Sa i përket shpenzimeve, duhet theksuar rritja e shpenzimeve kapitale me 31.4% në krahasim me 2020.
Pritshmëritë janë që në gjysmën e dytë të këtij viti çmimet të stabilizohen. Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar. Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti”, tha ministrja Ibrahimaj.





