Shtetet perëndimore po i kundërpërgjigjen Rusisë, pas vendimit të kësaj të fundit për të njohur dy rajonet separatiste në Ukrainë dhe dërgimin e trupave atje.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ngriu projektin masiv të gazsjellësit rus, të njohur si Nord Stream 2.
Vendimi është një lëvizje domethënëse për qeverinë gjermane, e cila kishte rezistuar prej kohësh për të hequr prizën nga projekti, pavarësisht presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane për ta bërë këtë.
Uashingtoni ka argumentuar për vite me radhë se ndërtimi i një tjetër tubacioni që sjell gaz natyror nga Rusia në Gjermani, rrit varësinë e Europës nga furnizimet ruse me energji.
Scholz tha se në dritën e zhvillimeve të fundit, qeveria kishte vendosur të “rivlerësonte” certifikimin e tubacionit, i cili nuk ka filluar ende të funksionojë.
“Kjo sigurisht që do të marrë kohë, nëse mund të them kështu” – tha ai.
Gjermania plotëson rreth një të katërtën e nevojave të saj energjetike me gaz natyror, një peshë që do të rritet në vitet e ardhshme pasi vendi të ketë fikur tre termocentralet e fundit bërthamore dhe të heqë gradualisht përdorimin e qymyrit. Rreth gjysma e gazit natyror të përdorur në Gjermani vjen nga Rusia.





