Ndryshimet klimatike e kanë vënë bujqësinë shqiptare para sfidave të mëdha, të cilat në të ardhmen do të intensifikohen edhe më shumë.
Në një studim teknik për perspektivat e ujitjes në bujqësi, Banka Botërore vërejti se rritja e temperaturave do të shtojë më tej ngjarjet ekstreme në bujqësi, me përmbytje dhe me thatësira.
Ndryshimet do të ndikojnë në tkurrjen e burimeve ujore që duhen për vaditje. Sipas Bankës, pothuajse 4,000 ngjarje fatkeqësish kanë ndodhur midis vitit 1852 dhe 2013. Gjatë periudhës 1990-2014, përmbytjet shkaktuan humbje të mëdha ekonomike, pasuar nga rrëshqitje të dheut. Rreziqet nga përmbytjet ndodhin mesatarisht një herë në çdo gjashtë vjet.
“Gjatë 33 viteve të fundit, humbja ekonomike e shkaktuar nga përmbytjet vlerësohet në 2.3 miliardë dollarë”, përllogariti BB. Këto përmbytje u shkaktuan nga një kombinim i niveleve të larta të reshjeve dhe hapjes së portave të HEC-ve për derdhjen e ujit te tepërt, duke mbuluar sipërfaqe të mëdha të tokës së punueshme, bagëtitë dhe shtëpitë.
Zona bregdetare, e cila kontribuon me 65 për qind të tokës totale të kultivuar, 60 për qind e pemëve frutore, 90 për qind e serave të saj, është identifikuar si më të rrezikuara në vend.
Ultësira perëndimore përveçse goditet nga përmbytjet që vijnë nga lumenjtë po gërryhet edhe nga valët e stuhisë detare.
Studimi i cili u prezantua së fundmi theksoi se, Shqipëria është mjaft e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike në krahasim me vendet e tjera europiane dhe vendet aziatike.
Ndryshimet klimatike sugjerojnë, se do të ketë një zgjatje të sezonit me temperatura të larta me 22 ditë në veri dhe 37 ditë në jug në vitet 2100 krahasuar me situatën në vitet 1990.
Rritjet më të mëdha të temperaturave pritet të ndodhin gjatë pranverës dhe verës. Kjo përkon me periudhën kryesore të kultivimit në bujqësi, ndërsa numri maksimal i ditëve pa reshje, në tre të katërtat shtrihen në sezonin e kultivimit.
Si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike, reshjet do të jenë të përqendruara duke shtuar rrezikun për rritjen të rrezikut nga përmbytjet.
Të gjithë lumenjtë në Shqipëri shkaktojnë përmbytje periodike, por lumi Drin, së bashku me Bunën, kanë një ndikim më të madh në tokën e punueshme, si dhe në shtëpitë e fermerëve, biznese dhe infrastrukturës.
Banka rekomandoi se edhe investimet më të mëdha duhet bërë në argjinaturat anës këtyre lumenjve.