Ardian Muka, kandidati që garon në zgjedhjet e 6 marsit për kryebashkiak të Durrësit nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë, ka folur sot lidhur me qëndrimin e tij mbi projektin e portit të Durrësit.

I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, Muka tha kjo është një vjedhje e madhe që po bëhet me një aset kombëtar siç është porti i Durrësit. Teksa faktet sipas Mukës tregojnë që edhe Lulzim Basha ka dhënë pëlqimin e tij për këtë projekt, kandidati Ardian Muka ka një propozim, që porti t’i mbetet qytetarëve.

“Mund të krijohet shumë mirë një fond publik investimesh e qytetarët të blejnë sa mundësi kanë dhe fondi të ishte pjesë e zhvillimit.”

Pjesë nga intervista:

Problem që po diskutohet është dhe projekti i Portit të Durrësit, ke qëndrim për këtë?

Muka: Them me plot gojën që është vjedhje e madhe që po na bëhet. Është një aset kombëtar Porti i Durrësit. Për mua ishte një flluskë e madhe elektorale që e paketuan shumë mirë dhe qytetarët durrsakë e besuan. Kam bindje të thellë që do e kuptojnë që kjo është një ballon që do të shfryhet. Porti i Durrësit nuk mundet që për 2 muaj të kryhet gjithë procesi dhe të thuhet se do e kthejmë destinacionin nga një port mallrash, në një artesh. Shumicën e portit do e marrë një kompani që rezulton fantazmë. Një aset i Shqipërisë deri më tani ka kaluar 4 duar. Në fillim thanë që do të vijë grupi Omar, më pas thanë që ceo i grupit Omar do të sillte një kompani tjetër që kishte të tijën. Ata duhet të deklarojnë se kush janë ortakët. Ne po i falim një pasuri kombëtare disa persona enigmë. Unë them që qytetarët e kanë të qartë se kush është pas operacionit, sepse nuk munden qytetarët të jenë pronar të këtij operacioni. Faktet tregojnë se edhe deputeti Basha i ka dhënë pëlqimin dhe është pjesë e operacionit. Unë do të propozoja që porti t’i mbetet qytetarëve. Mund të krijohet shumë mirë një fond publik investimesh e qytetarët të blejnë sa mundësi kanë dhe fondi të ishte pjesë e zhvillimit.

Përballë keni dy kandidatë të tjerë, cili është avantazhi dhe disavantazhi juaj përballë tyre?

Muka: Unë vij nga biznesi dhe si biznesmen në këto 30 vite i kam parë të gjithë bashkëpunëtorët dhe punëmarrësit si pjesë e familjes time. Jam krenar të them që s’kam pasur asnjë funksion shtetëror për zgjedhjen time. Nuk kam marrë asnjë lek publik, kam parë veten time në zhvillimet private. Kjo sot më bën të qetë dhe të sigurt ku mund të shkoj e të trokas në dyert e qytetarëve. Ajo që shoh te konkurrentët, shoh një zonjë e cila është arrogante, e këtë e tregoi edhe para dy ditësh në takimin me përfaqësuesit e popullit, ku u largua pa përfunduar detyrimin ligjor për atë që po e kërkonin. Kur trajton deputetët në mënyrë të atillë imagjinoni qytetarët. Kam qenë subjekt edhe i goditjeve politike i bizneseve të mia. Është e pamoralshme dhe jo profesionale, që në të gjithë komunikimet që kemi me kryetaren asnjë dokument nuk kemi të firmosur prej saj. Vijnë njëherë nga nënkryetarë, e jo nga ajo, edhe pse është prezente. Përballë s’kemi kryetarin e bashkisë, unë them se kemi zotin Dako që është në fushatë aktive. Oferta që vjen nga kampi socialist është një ofertë që i është ofruar për 22 vite. Nëse do të ndihen mirë, rehat, kjo është ajo që kanë arritur të ofrojnë. Ndryshimi vjen më 6 mars duke votuar nr 1. Me zotin Hoti kemi zhvilluar beteja elektorale, njihemi mirë. Unë them se është duke udhëtuar në rrugën e gabuar në errësirë. Bashkudhëtaret e mi në betejat politke që kemi bërë për të djathtën, të gjejmë rrugën e dritës dhe të kthehen e t’i bashkohen projektit tim, projektit tonë.

Keni mesazh për publikun?

Muka: Do të doja t’i falenderoja për mbështetjen e dhënë në këtë fushatë. E shoh si bashkëbisedim ku po përthith energji pozitive. Po dëgjoj halle, propozime dhe i garantoj që më datë 6 mars duke votuar nr. 1, ata do të votojnë për fëmijët, të ardhmen dhe do të votojnë për një Durrës më të mirë.

Lexo edhe: