Prej vitesh i paguajnë të gjithë taksat Bashkisë së Durrësit, por ende rrugët e lagjeve të tyre janë të pashtruara dhe përmbyten sa herë bie shi.
Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka ka mbajtur takimin e radhës me banorët e Porto Romanos, të cilët adresuan shqetësimet e tyre për mungesë infrastrukture dhe shërbimesh nga ana e Bashkisë Durrës.
Tubacionet e ujërave të bardha ndodhen mbi rrugët të cilat janë të amortizuara dhe i vetmi rast kur Bashkia Durrës punon për këto rrugë, është gjatë fushatës, duke hedhur zhavorr elektoral siç edhe deklarojnë banorët e zonës.
“Ky është uji i pijshëm, me tuba jashtë. Bëjnë këto gjëra sa për të marrë votat dhe pastaj nuk kujtohen më. Të jesh 4-5 kilometra larg nga qendra dhe ja kjo është gjendja!”, tha Muka.
“Mirë që paguajmë tonat, por paguajmë dhe të rrugës. Kemi pas paguar 12 mijë lekë, tani paguajmë 32 mijë lekë.”, u shpreh njëri nga banorët.
“I paguajmë taksat dhe shpërblimi është ky. Kjo është çfarë bashkia na jep neve. Ka ardhur koha për ndryshim. 20 mld lekë të vjedhura, mund të kishin mbaruar të gjitha punët këtu.” tha Muka.
“Ai kanal nuk është pastruar që në 2007. Këtu janë 40 banesa. 20 në njërën anë dhe 20 në anën tjetër të rrugës.”, tha një tjetër banor.
Kandidati Muka u zotua që menjëherë pas fitores së Bashkisë Durrës, do të nisë menjëherë punën për rehabilitim të mirëfilltë të rrugëve dhe infrastrukturës.