Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës nga Donbasi. Lajmin e bën me dije ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Përmes rrjeteve sociale ai thotë se Vladimir Putin, ka nisur ‘pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë’. Sakaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës thekson se do të mbrojnë veten ndërsa shton se bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin që të sulmojë.
Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera. Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin.
Me nisjen e bombardimeve të para në Ukrainë, banorët e Kievit kanë nisur të braktisin qytetin. Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës, dhe vetëm pak minuta më vonë u lëshuan raketat e para në Ukrainë.
Në kryeqytetin e Kievit, një sirenë emergjente është ndezur dhe fotografitë tregojnë trafik makinash që bllokojnë një autostradë, ndërsa njerëzit largohen nga qyteti, shkruan BBC.
Dëshmitë në rrjetet sociale flasin për një ndjenjë paniku në rritje, me disa që thonë se ata po dërgohen me nxitim në strehimoret e bombave dhe në bodrume. Pamjet televizive kanë treguar njerëz duke u lutur në rrugë, të grumbulluar në grupe.





