Shtrenjtimi i çmimit të bukës preku në mënyrë të drejtpërdrejtë mijëra persona me të ardhura të ulëta, përfshirë pensionistë dhe grupe në nevojë. Mes pikëpyetjesh të forta Autoriteti i Konkurrencës vendosi të shpëtojë nga gjoba prej 4.1 milionë eurosh 5 kompanitë e akuzuara për përcaktim të organizuar të çmimeve, ndërsa INA MEDIA ka faktuar se shqiptarët vidhen nga furrat e bukës nëpërmjet peshës.

Autor: Emirjon Senja

Shefqet Kuçi, pensionist, kursen mesatarisht 500 lekë (të reja) në muaj, duke blerë bukën e djeshme apo edhe të dy ditëve më parë. Paratë e kursyera ai i përdor për blerjen e ndonjë ushqimi tjetër, aq sa mund të blejë.

Çmimi i bukës u rrit me 10-20 lekë për njësi në vjeshtën e vitit 2021 dhe aktualisht buka masive në furrat e Tiranës varion mes 80-100 lekëve. Ashtu si Shefqeti, çdokush, që do të blejë një bukë të mbetur në raft, të pashitur prej 24 apo 48 orësh më parë, mund të mjaftohet duke paguar 60-70 lekë.

Shefqet Kuçi

I moshuari rrëfen për INA MEDIA-n se një herë në dy ditë shkon te furra e lagjes, duke kërkuar bukën e një ose dy ditëve më parë.

“Është e fortë, por jo e ndenjur. Nuk kam zgjidhje tjetër. E blej 70 lekë, ka raste ma japin edhe më lirë, kur është buka e dy ditëve më parë”, – shprehet ai i pyetur nga INA MEDIA se si ia bën tani, që krahas ushqimeve të tjera është shtrenjtuar edhe buka.

Shitja e bukës së mbetur nëpër sirtarë me një çmim 20-30 lekë më lirë, është parë si zgjidhje edhe nga vetë tregtarët për të mos e hedhur.

Shefqeti është një ndër mijëra pensionistët me të ardhura të ulëta, që janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga shtrenjtimi i ushqimeve gjatë muajve të fundit, ndërsa sfidën e përditshme e ka me produktin kryesor të tavolinës, bukën.

Buka, 10-20 lekë më shtrenjtë

Buka dhe nënproduktet e miellit janë një ndër produktet kryesore në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që sipas të dhënave statistikore mbi shpenzimet mujore të familjeve shqiptare ndikuan në rritjen e kostos së qytetarëve përgjatë një muaji. Rritja për këtë grup përllogaritet të jetë +2.22 pikë përqindjeje.

Sipas Hasan Stafës nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, buka ka 40% të peshës në totalin e produkteve ushqimore për familjet në Shqipëri dhe çdo ndryshim i çmimit të saj ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve.

Hasan Stafa, Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit

Këta të fundit u përballën me një shtrenjtim të çmimit të bukës masive me 10 deri në 20 lekë në periudhën fund-gushti-nëntor 2021. Por, shtrenjtimi i saj nuk ndodhi menjëherë.

Rritja e parë ndodhi në fund të gushtit me një mesatare 5-10 lekë për njësi në një pjesë të furrave, ndërsa pjesa tjetër, kryesisht ato të linjave të mëdha të prodhimit, për shkak edhe të rezervave fillestare tentuan të ruanin të njëjtat çmime.

Në periudhën shtator-tetor konsumatorët u përballën me një rritje tjetër të çmimit të bukës dhe nënprodukteve të tjera të miellit, për të arritur kulmin në nëntor të vitit 2021.

Nga vëzhgimi që bëri INA MEDIA, një bukë masive kushton aktualisht 80 deri në 100 lekë në furrat e Tiranës.

Indeksi i çmimeve të konsumit për nëngrupin “Bukë, drithëra”, janar-dhjetor 2021
Burimi: INSTAT

Sipas INSTAT-it, indeksi i çmimit të bukës dhe të drithërave në shtator të vitit 2021 u rrit me 4.7 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, në tetor, 5.8%, në nëntor, kur arriti dhe kulmin, 6.6% dhe në dhjetor, 6.3%. Shtrenjtimi më i madh ka ndodhur pikërisht gjatë periudhës gusht-nëntor 2021.

U akuzuan për marrëveshje, si i shpëtuan gjobës prej 4 milionë eurosh bizneset e miellit

Pesë kompani, që merren me importin, tregtimin dhe përpunimin e miellit në vendin tonë, u akuzuan për përcaktim në bllok të çmimit të miellit.

Pas një denoncimi të mbërritur në vitin 2019 nga njëri prej operatorëve të tregut të miellit, për 5 kompanitë, Bloja, AgroBlend, Miell Tirana, Atlas dhe Atlas Mills, Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim për tregun e miellit.

Në përfundim Autoriteti i Konkurrencës vulosi një dokument, sipas të cilit në tregun e importit dhe përpunimit të miellit kishte një bashkërendim nga këto 5 kompani, të cilat kishin përcaktuar në bllok çmimin e miellit, duke sjellë rritjen e çmimit të bukës.

“Këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje, e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3, pika 4 dhe të nenit 4, pika 1, germa a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, – thuhet në vendimin nr. 700 të Komisionit të Konkurrencës.

Komisioni i Konkurrencës vendosi të ndërmarrë një hetim të thelluar në tregun e importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit për periudhën 1 janar-30 qershor 2019. Hetimi u mbyll në verën e vitit 2020, ndërsa më 24 korrik Komisioni nxori vendimin nr. 700, sipas të cilit konstatohej një sjellje e bashkërenduar mes kompanive Bloja sh. a., AgroBlend sh. p. k., Miell Tirana sh. a., Atlas sh. a. dhe Atlas Mills sh. p. k.

Po ashtu, hetimi 1-vjeçar nxori në dritë se kishte një koordinim mes kompanive nga importi i grurit e deri te linjat e prodhimit të miellit dhe se këto kompani zotëronin së bashku deri në 85% të tregut, duke kufizuar kështu hyrjen e kompanive të reja.

Pavarësisht këtij konstatimi, Komisioni nuk i gjobiti kompanitë në korrik të vitit 2020, duke iu kërkuar atyre vetëm që të zbatonin detyrimet e nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Sipas këtij vendimi, “kompanitë nuk duhej të caktonin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi çmimet e blerjes ose të shitjes apo çdo kusht tjetër tregtimi; nuk duhej të kufizonin apo kontrollonin prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të mos ndanin tregjet ose burimet e furnizimit, si edhe të dorëzonin në Autoritetin e Konkurrencës çdo tre muaj regjistrat e blerjeve dhe të shitjeve”.

Faksimile e vendimit nr. 700, që konstaton një sjellje të bashkërenduar mes kompanive në tregun e miellit
Faksimile e vendimit nr. 700, që konstaton një sjellje të bashkërenduar mes kompanive në tregun e miellit

Autoriteti i mori nën monitorim për një vit kompanitë, duke iu kërkuar njëkohësisht që gjatë kësaj periudhe të përmbusheshin kërkesat e mësipërme, ndërsa në përfundim të kësaj periudhe do të bëhej edhe një vlerësim tjetër, për të parë nëse ishin përmbushur apo jo detyrimet e përcaktuara në vendimin nr. 700.

Në shtator të vitit 2021, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës konstatoi se kompanitë nuk i kishin përmbushur detyrimet e përcaktuara në vendimin nr. 700 të korrikut 2020, duke i propozuar Komisionit të Konkurrencës që të ndërmarrë hapa më drastikë ndaj kompanive përmes aplikimit të një gjobe, që varionte nga 3% deri në 10% të xhiros vjetore të vitit të kaluar.

Në total, bëhej fjalë për një gjobë që arrinte një vlerë prej 4.1 milionë eurosh.

Propozimi i inspektorëve të Autoritetit të Konkurrencës u hodh poshtë me një votim 3-2 në Komisionin e Konkurrencës si organi më i lartë vendimmarrës në këtë institucion.

INA MEDIA pati akses dhe disponon, si raportin e inspektorëve të Autoritetit të Konkurrencës, po ashtu edhe argumentet e komisionerëve të Autoritetit të Konkurrencës për të vendosur pro apo kundër gjobës 4.1 milionë euro ndaj kompanive të importit të grurit dhe prodhimit të miellit.

Në raport Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, i cili i ka hetuar dhe i ka monitoruar këto kompani për një periudhë njëvjeçare, ka radhitur argumentet, sipas të cilave vërtetohej koordinimi mes kompanive në fjalë për përcaktimin e çmimeve në tregun e importit të grurit dhe furnizimit në treg, duke përfituar edhe nga pozicioni i tyre, dominues.

Argumentet e Sekretariatit bazohen kryesisht në hetimin dhe monitorimin e sjelljes së kompanive në treg, pasi, sipas tij, gjatë periudhës nën hetim nuk është konstatuar ndonjë komunikim që të provojë sjelljen e koordinuar mes tyre.

Raporti u miratua nga të gjithë anëtarët, që vulosën shkeljet e konstatuara nga Sekretariati, por çuditërisht në vendimin përfundimtar nuk u bë e mundur të arrihej shumica, për të vazhduar me sanksionet e propozuara dhe hetimet u mbyllën, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të vuajnë çmimet e larta.

Argumenti kryesor i komisionerëve, që hodhën poshtë propozimin për gjobë, lidhej me faktin se nuk mund të dilet në konkluzionin se kompanitë kanë një sjellje të koordinuar në treg, duke monitoruar vetëm për një periudhë të shkurtër sjelljen e tyre, pasi kjo metodologji kërkon të bëhen monitorime për një periudhë disavjeçare.

Tre komisionerët, që votuan kundër gjobës, hodhën poshtë me argumente të ngjashme edhe konkluzionet e Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës për integrim vertikal mes kompanive apo barrierave që ndalojnë futjen e aktorëve të tjerë në treg, duke arritur në vendimin final, që kompanitë të mbaheshin nën monitorim edhe për një vit tjetër.

Raporti i monitorimit, si dhe argumentet që kanë përdorur palët për të mbështetur qëndrimet e tyre, të bën të kuptosh se nuk pati një hetim të mirëfilltë për të vërtetuar apo hedhur poshtë pretendimet për prishje të konkurrencës në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit, duke bërë që vendimi final i Komisionit të Konkurrencës të ishte rezultat i procedurave dhe jo i realitetit në treg.

Fajin e ka importi

Importuesit e grurit dhe të miellit thonë se rritja e çmimit u diktua nga tregu ndërkombëtar.

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Miellit, njëkohësisht edhe administrator i kompanisë Bloja, Adi Haxhiymeri, shpjegon për INA MEDIA-n se gjithçka nisi të lëvizë, pasi korrjet e grurit gjatë vitit 2021 nuk ishin të mbara në vendet që konsiderohen si prodhuesit e tij më të mëdhenj.

“Rritja erdhi si rezultat i kushteve klimatike, të cilat bënë që në rang botëror të prodhohen 20 milionë tonë grurë më pak. Kjo, kryesisht nga Rusia, si eksportuesi më i madh, Kanadaja, ShBA-të etj. Si rrjedhojë, çmimi i grurit për bukë u rrit fillimisht me 60%-65% dhe momentalisht është mbi 80%”, – pranon ai.

Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë Bloja
Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë Bloja

Shtrenjtimi i çmimit të grurit shkaktoi rritje të menjëhershme të çmimit të miellit, duke u pasqyruar drejtpërdrejt edhe te çmimet e nënprodukteve të tij.

Para fillimit të shtrenjtimit të grurit në tregun global, në periudhën shtator-tetor 2021, çmimi i miellit në vend u rrit me rreth 10%, duke arritur në 58-60 lekë/kg. Një muaj më pas, prodhuesit e bukës do të përballeshin me një shtrenjtim tjetër të miellit, i cili arriti deri në 65-68 lekë/kg. Aktualisht, sipas Adi Haxhiymerit, furrat e bukës e blejnë një kilogram miell mesatarisht me 60 lekë/kg, çmim që mbetet tepër i lartë krahasuar me fillimin e verës 2021.

Por, duket se rritja e çmimit të bukës ka prodhuar një efekt zinxhir.

Avni Nela, administrator i linjës së furrave Nela, thotë se gjatë muajve të fundit prodhuesit e bukës janë përballur me një shtrenjtim gati 100% edhe të nënprodukteve të tjera, që përdoren për prodhimin e bukës.

“Mielli është shtrenjtuar me 50%. E kemi pas marrë me rreth 42 lekë/kg, tani e marrim mesatarisht me 62-63 lekë/kg, ndërkohë që vaji dhe gjalpi janë shtrenjtuar 100%”, – thekson Nela.

Avni Nela, administratori i linjës së furrave Nela

Sipas tij, edhe shtrenjtimi që iu bë bukës nuk mund të mbulojë dot kostot shtesë, të shkaktuara nga rritja e përgjithshme e çmimeve të lëndëve të para, si dhe të karburanteve në vend.

Në të njëjtin rreth vicioz ka ngecur edhe Matilda Murati, prodhuese buke në Tiranë.

Matilda Murati, prodhuese buke, Tiranë
Matilda Murati, prodhuese buke, Tiranë

“Ka klientë tani, që futen, pyesin për çmimin dhe largohen, nuk marrin bukë”, – tha ajo. Murati thotë se ka marrë një lajm të keq pak ditë më parë, duke parashikuar një shtrenjtim tjetër të miellit në një periudhë afatshkurtër.

Pesha, konsumatorët, dy herë të abuzuar

Konsumatori shqiptar është i abuzuar dhe i vjedhur disa fish.

Investigative Network Albania ka mundur të dokumentojë se tregtarët e bukës abuzojnë me peshën, duke fshehur kështu rritjen reale të çmimit të bukës.

Buka tregtohet si njësi dhe jo me peshë, pasi merret e mirëqenë se ajo peshon 1 kg.

Por INA MEDIA ka mundur të provojë se qytetarët mashtrohen, duke paguar deri në 300 gramë më shumë, që i mungon çdo njësie buke, që ata blejnë. Konkretisht, ata paguajnë një bukë prej 700 gramësh sikur të ishte 1 kg.

Për të vërtetuar këtë INA MEDIA bëri një hulumtim në treg, duke blerë bukë në 10 furra në zona të ndryshme të Tiranës.

Objekt i vëzhgimit ishte vetëm buka masive, e cila është edhe produkti referencë, në rastet kur flitet për çmimin apo cilësinë e saj, nisur nga përdorimi i gjerë në popullsi.

Furrat u zgjodhën në mënyrë rastësore në të gjithë kryeqytetin dhe blerjet u shoqëruan edhe me tërheqjen dhe ruajtjen e kuponit tatimor. Pas blerjes, bukët u peshuan në një peshore elektronike, për të zbuluar peshën e tyre krahas çmimit.

Siç shihet në tabelën e mëposhtme, çmimi i një buke masive në Tiranë varion nga 80 deri në 100 lekë.

Çdo qytetar, që paguante 80 lekë për një bukë masive, blinte diçka më shumë se 700 gramë bukë, ndërkohë, bukët që kushtonin 90 lekë, kishin një peshë nga 736 deri në 796 gramë.

Në dy furra konstatuam edhe bukë me vlerë 100 lekë, të cilat peshonin 824 dhe 826 gramë.

Në çdo rast, pavarësisht çmimit, të gjitha bukët që blemë ishin më pak se 1 kilogram, duke bërë që qytetarët ta paguajnë dyfish rritjen e çmimit: herën e parë me diferencën mes çmimit fillestar dhe atij të rritur dhe herën e dytë përmes uljes së peshës së saj.

Përveç problemeve me peshën, gjatë vëzhgimit u konstatua një mungesë e theksuar gatishmërie nga bizneset për të lëshuar kuponin tatimor. Për të blerë 10 bukë, u paraqitëm në 13 furra të kryeqytetit. Në tri prej tyre nuk u ble produkti, pasi nuk lëshuan kuponin tatimor.

Ndërkohë, nga 10 furra, ku mundëm të blinim me kupon tatimor, vetëm në njërën prej tyre u dha kuponi me dëshirën e shitësit, kurse në nëntë të tjera na u desh ta kërkonim për ta marrë.

Paraqitje e çmimit dhe e peshës së bukës që morëm në 10 furra të kryeqytetit

Hileja me peshën e bukës pranohet edhe nga Hasan Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili e konsideron si një ndër format më të përhapura të abuzimit ndaj konsumatorëve.

“Ajo që shitet si bukë 1 kg në treg, në fakt nuk është 1 kilogram. Madje, disa prodhues i rezistuan për një periudhë rritjes së çmimit të bukës gjatë vjeshtës së vitit 2021, duke ulur peshën e saj”, – argumenton Stafa.

“Madhësia mund të duket e njëjtë, pasi kanë shtuar sasinë e majasë, por pesha jo. Tani një bukë masive peshon rreth 700 gramë”, – akuzon kreu i konsumatorëve, Hasan Stafa.

Edhe Drejtoresha Ekzekutive e qendrës, Konsumatori Shqiptar, Ersida Teliti, pohon se përgjatë periudhës korrik-gusht-shtator konsumatorët nuk e vunë re rritjen e çmimit të bukës, pasi u përdor pikërisht kjo taktikë.

“Një pjesë e mirë e konsumatorëve nuk e konstatonin shtrenjtimin e bukës, pasi në furrat ku ata shkonin, nuk kishte një rritje të dukshme, lëvizja ishte te pesha”, – shprehet ajo.

Teliti thotë se organizatat joqeveritare e kanë të pamundur teknikisht, por edhe ligjërisht që të bëjnë peshim apo matje të cilësisë së bukës në treg. Sipas saj, janë institucionet shtetërore ato që duhet ta ndjekin këtë praktikë.

Ersida Teliti, Drejtoreshë Ekzekutive e qendrës Konsumatori Shqiptar

“Ne i kemi vënë në lëvizje këto institucione, siç është Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, kur kemi patur ankesa nga qytetarët për bukën”, – shprehet ajo.

A e shtrenjtoi bukën vetëm mielli?

Buka, si produkti final i një cikli të gjatë, që prej prodhimit të miellit, transportit, përpunimit dhe shitjes, është ajo ku reflektohet kjo kosto e shtuar, duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë konsumatorin.

Indeksi i çmimeve të prodhimit, tremujori III, 2015- tremujori III, 2021
Indeksi i çmimeve të prodhimit, tremujori III, 2015- tremujori III, 2021

Krahas shtrenjtimit të miellit dhe nënprodukteve të tjera që përdoren për prodhimin e bukës, Avni Nela rendit edhe dy faktorë të tjerë, që sipas tij kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtrenjtimin e bukës për konsumatorët.

“Kemi një situatë të papërballueshme për shkak të shtrenjtimit të gjithçkaje. Tani na nxorën edhe nga regjimi i subvencionimit të energjisë elektrike. Unë më parë e paguaja energjinë elektrike 7 lekë për kW/h, kurse tani e paguaj 19 lekë. Vetëm këtë muaj më ka ardhur fatura e energjisë elektrike 1.2 milionë lekë. Problem tjetër është krahu i punës. Nuk ka më specialist brumi, që të vijë të punojë me pagë 40 mijë lekë. Tani pagat për ta kanë shkuar në 80 mijë lekë dhe sërish hasim në vështirësi për t`i gjetur, pasi po ikin në Gjermani dhe Belgjikë”, – tregon ai.

Indeksi i çmimeve të konsumit tregon se buka dhe nënproduktet e miellit kanë ruajtur një stabilitet çmimesh të paktën që prej vitit 2013, duke patur madje një ulje të lehtë përgjatë periudhës 2015-2018.

Indeksi i çmimeve të konsumit, qershor 2013-tetor 2021

Ky stabilitet, me sa duket, është ruajtur nga një regjim preferencial i çmimit të energjisë elektrike, që kanë përfituar furrat e bukës.

Ndërkohë që çmimi i bukës nuk ishte rritur gjatë asaj periudhe 8-vjeçare, paga mesatare në grupin “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” është rritur me të paktën 40% që prej vitit 2013.

Aktualisht, tregut i mungon një matje e mirëfilltë nga institucione të specializuara të kostove të rritura në të gjithë linjën, që nga importi i grurit, përpunimi i miellit e deri te prodhimi i bukës.

Ky ishte edhe një ndër argumentet që çuan në rrëzimin me shumicë votash nga Komisioni i Konkurrencës të propozimit nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës për një gjobë totale prej 4.1 milionë eurosh ndaj pesë kompanive të importit të grurit dhe prodhimit të miellit në Shqipëri.

Duke qenë se hetimi i nisur nga Komisioni i Konkurrencës u fokusua vetëm në pjesën e sipërme të tregut, pra importi i grurit dhe prodhimi i miellit, konsumatorët e patën të pamundur të mësonin, nëse kishin të bënin apo jo me abuzime në segmente të tjera të këtij tregu.

Çdo shqiptar konsumon minimumi 125 kg. nënprodukte të miellit në vit

Familjet shqiptare harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre, mujore vetëm për të plotësuar nevojat për ushqim. Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2020 një njësi familjare në Shqipëri 41.6% të shpenzimeve mujore i kishte vetëm për ushqim.

Statistikat tregojnë se vendi ynë konsumon mesatarisht 470-480 mijë tonë grurë në vit.

Në vitin 2020 kjo shifër ishte rreth 478 mijë tonë, me një rritje shumë të lehtë krahasuar me vitin 2019. Nga kjo, 233.4 mijë tonë grurë janë prodhuar në vend, kryesisht në qarqet e Fierit dhe të Korçës, kurse pjesa tjetër është importuar.

Një ton grurë nxjerr mesatarisht 7 kuintalë miell për prodhimin e asaj që e quajmë rëndom si buka masive. Duke i shtuar kësaj edhe rreth 24 mijë tonë miell, që u importua gjatë vitit 2020, mund të përllogaritet që gjatë një viti një individ në Shqipëri konsumon rreth 125 kg. nënprodukte të miellit, ku pjesën dërrmuese e përbën pikërisht buka.

Në llogari nuk janë futur makaronat, të cilat importohen kryesisht të gatshme.

Përllogaritja e mësipërme është bërë sipas të dhënave të censusit të vitit 2011, por, duke marrë në konsideratë që vitet e fundit Shqipëria është përballur me një rritje të emigracionit, ku është larguar nga vendi pjesa më vitale e shoqërisë, pesha e bukës dhe e nënprodukteve të tjera të miellit në totalin e shpenzimeve mujore të një familjeje shqiptare duket të jetë më e madhe, çka e bën për shoqërinë një problem edhe më të mprehtë shtrenjtimin e tyre./INA.MEDIA