Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është organizuar një aktivitet në kuadër të dy vjetorit të fillimit të pandemisë në Shqipëri, me praninë e ekspertëve dhe mjekëve që kanë kontribuar në këto dy vite për përballimin e situatës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ekipet mjekësore në strukturat shëndetësore, duke kujtuar momentet e para të fillimit të përballjes me COVID19.

“Jam e sigurt se askush nga ju prezent këtu apo nga armata e madhe e punonjësve të shëndetësisë nuk do të mund të harrojë as edhe një minutë të këtyre dy viteve të fundit. Bashkë ndërtonim skenarë e merrnim informacione, shkëmbenim mendime ndërtonim mburoja dhe hidhnim në letër masa mbrojtëse në pritje të një armiku të padukshëm, i cili e kishtë nisur tashmë marshimin. Ne ishim gati me të gjitha strukturat tona. Kishim plane veprimi sipas skenarëve të parashikuar. Por askush as ne dhe askush në botë në fakt nuk e dinte atë që do të vinte”, tha Manastirliu.

Duke folur për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, Manastirliu u shpreh:“Krizën shëndetësore që kaploi mbarë botën i’u përgjigjëm me forcimin e kapaciteteve mjekësore. Gjatë dy viteve të fundit kemi forcuar Urgjencën Kombëtare me mbi 60 autoambulanca të reja. Urgjenca Kombëtare ka pritur në dy vite mbi 1.4 milionë thirrje urgjente dhe ka menaxhuar mbi 279 mijë misione në banesë. Dyfishuam kapacitetet testuese. Krijuam mbi 200 pika testimi në komunitet. Rritëm kapacitetet dhe dedikuam në fazën e parë mbi 550 shtretër në 4 spitalet covid. Në total së bashku me gjithë spitalet rajonale vëndosëm në dispozicion 1600 shtretër të dedikuar dhe pajisëm të gjithë këto spitale dhe struktura me infrastrukturën e nevojshme, për t’iu përgjigjur çdo skenari të Planit tonë të Përgjigjies për periudhën e hershme shtator 2020 – mars 2021 e më tej edhe në Planin tonë 2-vjeçar të përgjigjies ndaj pandemisë dhe impaktit të saj. Siguruam të gjitha mjetet mbrojtëse për stafet tona. Rreth 4 mijë mjekë, infermierë, laborantë, staf mbështetës në vijën e parë u mbështetën me bonusin mbi pagën”, tha Manastirliu.

Duke folur për vaksinimin antiCovid, Manastirliu tha:

“Nëse nuk do të kishim forcuar përgjatë gjithë viteve të fundit infrastrukturën e sistemit tonë shëndetësor, përballja me atë çfarë solli pandemia do të ishte gati një mision i pamundur. Sot kur faza akute e pandemisë duket drejt shuarjes, sfida jonë nuk ka përfunduar. Ne do të vijojmë përpjekjet pa u ndalur me Programin Kombëtar të Vaksinimit si e vetmja rrugë për të mbyllur një herë e mirë faqen me pandeminë. Edhe pse sikurse ekspertët vlerësojnë, me gjasë ne do të bashkëjetojmë gjatë me këtë virus”.