Që nga shtatori i 2020-ës, kur Edi Rama caktoi drejtues politik të fushatës së PS-së në qarkun e Durrësit Adrian Çelën, strukturat partiake u vunë në lëvizje për zgjedhjet e 25 prillit.
Tashmë kur kanë mbetur rreth 90 ditë nga dita e votimit, lista e kandidatëve për deputetë për qarkun e Durrësit është drejt përmbylljes.
Disa emra janë të ditur botërisht që do të jenë pjesë e listës, disa të tjerë mund të përfshihen, por jo në vendet fituese. Në zgjedhjet e vitit 2017, PS fitoi e vetme 8 mandate, ndërkohë që pritshmëritë e këtij viti janë në rastin më të mirë ruajtja e rezultatit dhe në rastin më të keq fitimi i 7 mandateve. Duke qenë se Durrësi çon në Kuvend 14 deputetë, PS-ja synon që opozita e bashkuar të mos shkojë më shumë sesa barazimi në rezultatin final pas numërimit të votave.
Burime nga PS-ja e Durrësit bëjnë të ditur se konsumimi nga 4 vite të tjera në pushtet nuk pritet të ndikojnë në elektorat, pasi në periudhën post-tërmet qeveria dhe bashkia kanë qenë non stop në shërbim të qytetarëve të dëmtuar.
Fakti që në ndryshim nga 4 vite më parë, deputeti Lefter Koka do të jetë në anën e PS-së, sipas socialistëve durrsakë shkon në favor të selisë mavi.
Koka është një ndër emrat që do të jetë në listën e kandidatëve të PS-së, së bashku me drejtuesin politik Adrian Çelën, që pret të marrë një mandat deputeti për herë të parë.
Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi dhe mjekja e njohur Klodiana Spahiu pritet ta kenë sërish emrin në listë, ashtu si edhe 4 vite më parë. Kontributi i dhënë nga këto dy emra të njohur të së majtës në Durrës, por edhe respektimi i kuotave gjinore mund të jetë një faktor plus për t’i renditur ato në pozicione që mund t’u lejojnë fitimin e mandatit të radhës.
Në mëdyshje janë emrat e deputetëve Eglantina Gjermeni dhe Fidel Ylli, të cilët u renditën 4 vite më parë ndër 3 vendet e para në listë nga kryeministri Edi Rama. Ka zëra se Ylli nuk do të jetë më në listën e Durrësit dhe zona e tij elektorale do t’i kalohet deputetit Çyrbja. Një emër që pritet të rikthehet në Durrës është ai i Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Klosi edhe në të kaluarën ka fituar një mandat deputeti në Durrës, madje edhe ka drejtuar fushatat elektorale dhe nuk është çudi që Rama ta riciklojë sërish.
Ndryshe nga 4 vite më parë, mendohet se Shijaku nuk do të përfaqësohet më nga dy deputetë me origjinë nga Shijaku, por vetëm nga një. Rama mund të zgjedhë mes deputetit aktual Ilir Ndraxhi, por mund të propozojë edhe një emër të pakonsumuar më parë, duke marrë parasysh këtu faktin se deputeti në fjalë nuk kanë pasur një performancë mbresëlënëse në Kuvend, madje renditej mes atyre që marrin më pak fjalën gjatë seancave.
Rama nuk mund t’i besojë më deputetit Rrahman Rraja, aq shumë të lakuar nga skandalet e djalit dhe të afërmve të tij, por do të propozojë një emër tjetër që do të përfaqësojë në Kuvend Krujën e Fushë-Krujën.
Një emër që pritet të jetë sërish në listën e kandidatëve të PS-së është ai i drejtoreshës së DRAP Durrës Ana Dhamo. Ashtu si edhe në vitin 2017, këshilltarja bashkiake dhe lektorja e UAMD-së do të jetë në listë, megjithëse ndoshta jo në pjesën fituese të saj.
Por surpriza më e madhe e listës së kandidaturave për qarkun e Durrësit pritet të jetë as më pak e as më shumë vetë kryeministri Rama. Megjithëse u tërhoq nga drejtimi i qarkut, Rama pritet të ketë emrin në listën e kandidatëve, kjo dhe nga mundësia që u jep Kodi Zgjedhor kryetarëve të partive për të garuar deri në 4 qarqe.
Angazhimin personal për zgjidhjen e problematikave të tërmetit në të gjithë qarkun e Durrësit, Rama kërkon ta përkthejë në vota shtesë për formacionin e tij politik.
Shpërndarja e granteve të dëmshpërblimit në më shumë se 10 mijë familje përfituese, por edhe rreth 6 mijë familje të tjera që pritet të përfitojnë paratë falë hapjes 2 ditore të aplikimeve gjatë muajit dhjetor shihen nga socialistët e Durrësit si një mundësi më shumë për të “kënaqur” familjet e dëmtuara nga tërmeti dhe për të marrë votën e tyre në këmbim më 25 prill.
Të djathtë e të majtë e konsiderojnë qarkun e Durrësit një ndër qarqet më të rëndësishme elektorale, jo aq për numrin e deputetëve që dërgon në Kuvend, por më shumë për akuzat e përfshira në dosjen nr. 339.
PS-ja do të tentojë të provojë se rezultati i 4 viteve më parë nuk u sigurua falë shit-blerjes së votave dhe përfshirjes së të fortëve në proces, por ishte real. Nga ana tjetër, PD+LSI do të mundohen të shfrytëzojnë në favor të tyre pakënaqësinë popullore të akumuluar në Durrës si rezultat i keqqeverisjes së të majtës në 8 vitet e fundit, por edhe gjatë 20 viteve që PS qeveris qytetin bregdetar.
M.B.





