Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë së shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga dy persona pasi strehonin 5 emigrantë të paligjshëm që kishin si qëllim kalimin në vendet e BE-së.

“U arrestuan në flagrancë shtetasit Artan M., 51 vjeç dhe Martin K., 28 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër” njofton policia.

Në komunikatën për media të policisë thuhet se dy personat në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur “Ish-Pularia” në fshatin Lazarat, kanë pritur dhe strehuar kundrejt fitimit, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri, për të kaluar më pas në vendet e BE-së.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit Artan M. u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, 1 automjet dhe 2 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.