Sëmundja laringo tracheit që ka prekur qindra mijëra pula në pularitë e Durrësit ka shkaktuar një ngordhje masive të shpendëve.

Prej rreth 2 javësh, duke nisur nga data 28 shkurt, sëmundja ka shkaktuar “kërdinë” tek pulat duke sjellë për pasojë groposjen masive të tyre.

Drejtoria rajonale e AKU Durrës dhe Drejtoria e Bujqësisë kanë ushtruar ditët e fundit kontrolle në këto pulari, si dhe kanë monitoruar nga afër të gjithë procesin e groposjes së shpendëve.

Burime nga AKU konfirmuan për “DurrësLajm” se vetëm në njërën nga pularitë janë groposur 175.300 pula, por siguruan se sëmundja në fjalë nuk ndikon tek vezët që shpendët e prekur kanë prodhuar.

Institucionet shtetërore vazhdojnë kontrollet në 3 pularitë e bashkisë Durrës dhe sipas informacioneve paraprake sëmundja është izoluar dhe nuk ka më ngordhje të shpendëve.

Në vijim, AKU dhe Drejtoria e Bujqësisë, por edhe instancat më të larta pritet të dalin me një informacion më të hollësishëm lidhur me këtë rast.

M.B.