Rikonstruksioni i tregut te fruta-perimeve të Durrësit është drejt përfundimit. Pjesa më e madhe e banakëve të rinj janë vendosur, ndërkohë që pritet edhe një pjesë tjetër e tyre për t’u kompletuar të dy hapësirat e markatës. Tregtarët janë paraqitur sot në treg për të lidhur kontratat e reja.
Ata janë të kënaqur me investimin e realizuar, por presin me padurim nisjen sa më parë të punës. Ky është apeli i vetëm që ata i drejtojnë administratës së bashkisë përmes mikrofonit të “DurrësLajm”.
Shumë prej tyre kanë qenë të papunë gjatë kësaj periudhe ose janë detyruar të punojnë në profesione të tjera për të siguruar të ardhurat për familjen.
Rikonstruksioni i markatës së Durrësit nisi në korrik të vitit të kaluar. Pavarësisht se fillimisht u premtua se punimet do të përmbylleshin brenda 3 muajve, tashmë kur shënon mesi i marsit të vitit 2022 tregu ende nuk është bërë funksional.
Gjatë fushatës elektorale, kryebashkiakja Emiriana Sako inspektoi tregun e fruta-perimeve dhe u takua nga afër me një pjesë të tregtarëve, të cilëve u deklaroi se tashmë do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kushte optimale higjeno-sanitare.
M.B.





