Ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme ky sezon për Marc Marquez.
Piloti spanjoll është rrëzuar në nxehjen para garës së Indonezisë duke shkaktuar panik tek të gjithë të pranishmit.
Kjo sepse aksidenti i spanjollit ishte nga ato për të vënë duart në kokë, duke qenë se humbi kontrollin e motorit Honda teksa ishte në një shpejtësi prej 180 km/ h.
Marquez “fluturoi” nga motori dhe u përplas dhunshëm në asfalt, ndërsa pas aksidentit 29-vjeçari u ngrit vetë në këmbë edhe pse tronditja ishte e madhe dhe frika ishte se mund të pësonte një tjetër dëmtim në shpatullën të cilën e ka operuar disa herë dhe që në shumë raste i ka vendosur në dyshim vijimin e karrierës.
Gjashtë herë kampioni i botës në Moto GP, u shoqërua fillimisht për në qendrën mjekësore dhe më pas për në spital për ekzaminime më të detajuara.
Pas analizave, u konfirmua një tronditje megjithatë pa shfaqur probleme madhore ndërsa doktorët nuk e lejuan më pas Marquez për të startuar në garën e dytë sezonale.