Tre persona janë arrestuar në rrugën nacionale Shkodër- Lezhës, pasi janë kapur më kanabis në makinë. Policia e Lezhës ka vënë në pranga Ergys Arrazin, 28 vjeç, Izmir Dervishin, 31 vjeç dhe Durim Mehmedajn, 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Sipas bluve, bazuar në informacione në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike, me 2 automjete, u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima”.
Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Izmir Dervishi, policia gjeti dhe sekuestroi 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin Izmir Dervishi dhe Ergys Arrazi të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.’





