Kjo fillim jave ka nisur shumë e qetë në Durrës, aq sa të kujton paraditen e të dielave, kur në orët e para të mëngjesit ka pak lëvizje në rrugë.
Siç duket nga pamjet filmike të operatorit të “DurrësLajm”, Sokrat Toçi, qyteti duket disi i përgjumur, pasi shumë pak lëvizje këmbësorësh dhe mjetesh ka në qendër të qytetit.
Madje as ambulanca nuk ka nevojë t’i bjerë borisë për lirimin e rrugës, siç ndodh në ditë të zakonshme, por vijon e qetë drejt destinacionit të saj në rrugët e boshatisura!
Shpallja nga ana e qeverisë e të hënës si ditë pushimi, për të kursyer energjinë elektrike, ka bërë që rrugët kryesore të qytetit të mos kenë gjallërinë e zakonshme të një fillim jave, kur nxënësit dhe studentët i drejtohen institucioneve arsimore, ndërsa punëmarrësit vendeve të tyre të punës.
Shumë shijojnë ditën e pushimit duke e shfrytëzuar atë për ecje, ndërsa qarkullimi i mjeteve në rrugë është thuajse minimal, kjo edhe për shkak se shumë qytetarë evitojnë përdorimin e automjetit, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës pas rritjes së çmimit të karburanteve dhe produkteve të shportës.
Administrata këtë herë po shijon një fundjavë të gjatë prej 4 ditësh pushim, që nisi mëngjesin e së shtunës dhe do të mbyllet mbrëmjen e së martës,
Meqë e marta e 22 marsit është ditë pushimi për shkak të festës së Sulltan Novruzit të besimtarëve bektashinj, qeveria vendosi që edhe e hëna të ishte ditë pushimi, me qëllim kursimin e energjisë.
Kryeministri Rama paralajmëroi se qeveria po shqyrton edhe variantet e ditës pa makina dhe ditëve të punës nga shtëpia, meqë rezervat e energjisë në liqenin e Fierzëës janë në kuotat minimale, ndërsa çmimi i saj në tregun ndërkombëtar është rritur ndjeshëm.
Jo më larg se dje, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se në bashkëpunim me ARRSH do të nisë ndërprerja e ndriçimit në akset kombëtare për të kursyer energji.
Njëkohësisht ajo njoftoi se “duke nisur nga ora 12 e natës do i kërkohet Bashkive që të ndërpresin ndriçimin, për ato që nuk janë të domosdoshme”.
M.B.