Çmimi i naftës ka pësuar sërish rritje këtë të hënë. Nafta e papërpunuar Brent (BZ=F) u rrit 3.8%, duke shkuar në 111.96 dollarë për fuçi. Ndërsa nafta e papërpunuar e lehtë (CL=F) u rrit me 4%, duke u tregtuar me 108.9 dollarë për fuçi në bursën e Nju Jorkut.

Rritja e çmimit u ndikua nga njoftimi se Bashkimi Europian po diskuton një embargo ndaj importeve të naftës ruse në bashkëpunim me aleatët e tij perëndimorë.

Analistët thonë se rritja erdhi edhe sepse rebelët Houthi shënjestruan vende të ndryshme të naftës dhe gazit Saudi Aramco (2222.SR) në të gjithë mbretërinë gjatë fundjavës. Një pjesë e prodhimit u ndërpre përkohësisht, duke nxitur shqetësime në një treg tashmë të trazuar.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka publikuar së fundmi raportin e muajit mars për Tregjet e Naftës ku theksohet se rritja e çmimeve të mallrave dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë do të frenojnë ndjeshëm rritjen ekonomike globale.

“Perspektiva e bllokimit në shkallë të gjerë të prodhimit rus të naftës po rrezikon të shkaktojë një shok global të furnizimit me naftë. Përballë asaj që mund të kthehet në krizën më të madhe të furnizimit në dekada, tregjet globale të energjisë janë në një udhëkryq”, thotë raporti.