Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në Berat. Babai qëlloi me thikë djalin e tij disa herë.
Mësohet se pas vdekjes së nënës së 32-vjeçarit, babë e bir jetonin vetëm të dy në banesë.
Renis (Andrea) Sheroku ishte kthyer për festat e fundvitit pasi jetonte bashkë me të vëllanë jashtë vendit, por kishte vendosur që t’i qëndronte pranë nënës së sëmurë, deri në momentin që ajo ndërroi jetë.
Por sot, babai i tij, Ramo Sheroku e ka qëlluar me thikë, për arsye që ende nuk dihen.
Fqinjët e tyre, kanë bërë me dije se Sheroku ishte një njeri i alkoolizuar, por pas vdekjes së gruas së tij, ai ishte zhytur më tepër në alkool dhe rrinte çdo ditë “tapë”, ndërsa djali, sipas tyre, ishte i urtë dhe i respektueshëm.
Sot ata kanë nisur të konfliktohen duke e zgjatur edhe jashtë banesës së tyre, në lulishten përballë Varrezave të Dëshmorëve, aty ku edhe ndodhi plagosja.
Pas plagosjes, Renis (Andrea) Sheroku iu nënshtrua fillimisht një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Beratit dhe më pas u transportua drejt spitalit Ushtarak në Tiranë, ndërkohë që babai i tij ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit.





