Qytetarët e Durrësit që kanë frekuentuar vijën bregdetare këto ditë të kësaj fundjave të gjatë kanë konstatuar duke nisur që nga e shtuna zbaticën e theksuar.

Tërheqja e fortë gravitacionale e hënës ka shkaktuar fenomenin natyror, që jo pak habiti shumë qytetarë.

Të mësuar me baticat dhe zbaticat e zakonshme të detit në Durrës, këtë herë, tërheqja e madhe e detit nga toka, surprizoi jo pak qytetarë.

Pamjet e marra pasditen e sotme nga operatori i “DurrësLajm”, Sokrat Toçi” përgjatë shëtitores bregdetare dëshmojnë se edhe pas 4 ditësh, zbatica vazhdon.

Profesori Osman Metalla, një njohës i mirë i detit, shpjegoi më herët nga ana shkencore këtë fenomen, që regjistrohet kryesisht në pranverë.

“Në fakt uljet dhe ngritjet periodike të nivelit të detit njihen me emërtimin batica dhe zbatica, të cilat ndodhin në mënyrë periodike afro çdo 6 orë. Lëvizja e Hënës përreth Tokës bëhet në një kohë prej 24h49m, dhe njëkohësisht distanca e Hënës nga Toka nuk është gjithnjë e njëjtë. Në këtë moment që po shkruaj distanca e Hënës nga Toka është 227 326 milje dhe kjo distancë është e ndryshueshme (marre nga aplikacionet).

Njëkohësisht edhe Dielli ka tërheqje gravitacionale Në momentin kur Toka, Hëna dhe Dielli janë të rreshtuar fuqia e tyre gravitacionale rritet duke shkaktuar ato që njihen si baticat dhe zbaticat pranverore të cilat janë mjaft të dukshme si rasti i këtyre ditëve”,- shkruante Metalla në postimin e tij.

Këto ditë Hëna ka qenë e plotë, (siç duket në foton e shkrepur dy ditë më parë) gjë që shpjegon edhe zbaticën e madhe të konstatuar këto ditë gjatë bregdetit të Adriatikut.