Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka siguruar konsumatorët se produktet dhe nënproduktet e mishit të shpendëve që tregtohen në vend janë të sigurta.
Njoftimi vjen pas frikës së përhapur për shkak se shumë pula në disa pulari në vend kanë ngordhur prej infektimit nga gripi i shpendëve.
AKU njofton se prej 5 javësh tregjet dhe dyqanet e mishit në vend po monitorohen për gjurmueshmërinë, dokumentacionin e rregullt, certifikatat veterinare dhe se deri më tani nuk është evidentuar asnjë problematikë.
Po ashtu AKU bën thirrje që të mos blihet në tregje të pacertifikuara.
“Që prej shfaqjes së rasteve të gripit të shpendëve në vende të ndryshme të Europës, prej disa javësh, AKU ka qenë në gatishmëri dhe kontrolle të vazhdueshme të produkteve në tregjet shqiptare.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë të gjitha masat, si në terren ashtu edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, në bazë të Planit të Kontigjenceës, të miratuar nga Ministri, për monitorim dhe kontroll të situatës në përmbushje të sigurisë ushqimore dhe garantimin e shëndetit të konsumatorit.
Prej 5 javësh monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe raportohet lidhur me gjetjet nëpër tregje, dyqane mishi për gjurmueshmërinë, dokumentacionin e rregullt, certifikatat veterinare. Janë instensifikuar kontrollet që me shfaqjen e parë të rastit të gripit të shpendëve në Shqipëri.
Me marrjen e informacionit nga AKVMB, AKU është në terren për të monitoruar masat e marra nga shërbimi veterinar duke garantuar konsumatorin për produktet e nxjerra në treg dhe sigurinë ushqimore. Sipas drejtoreshës Jeta Deda, deri tani, nuk është evidetuar asnjë rast problematik, si në dokumentacion ashtu edhe në etiketim të produktit, si dhe kushtet e ruajtjes.
AKU siguron konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda stadardeve të gjurmueshmërise dhe janë të verifikuara nga inspektorët, të cilët janë në terren. Ftojmë konsumatorët të drejtohen në pikat e certifikuara të shitjes së mishit”, thuhet në njoftimin e AKU.