UEFA do të lejojë klubet europiane që të regjistrojnë nga dy lojtarë të rinj, të afruar nga klubet ruse dhe ukrainase, për vazhdimësinë e kompeticioneve europiane për vazhdimësinë e këtij sezoni.

Qeveria e futbollit europian bëri ndryshime në rregullore dhe me dije se deri më 1 prill të gjitha klubet do të lejohen të regjistrojnë lojtarë të rinj në skuadrat e tyre.

Ky ndryshim në rregulloren e UEFA-s vjen pasi FIFA pezulloi kontratat e lojtarëve të huaj në klubet e Ukrainës dhe Rusisë për pjesën e mbetur të sezonit 2021-2022.

Lojtarët që do të bashkohen me klubet në Europë do të lejohen që të jenë edhe pjesë e skuadrave në ndeshjet e Champions, Europa dhe Conference League.

Në një postim në faqen zyrtare të UEFA-s shkruhet: Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot të ndryshojë rregulloret e Champions, Europa dhe Conference League për sezonin 2021-2022, duke lejuar klubet që të regjistrojnë maksimumi dy lojtarë të rinj për ndeshjet e mbetura deri më 1 prill 2022.

Për më tepër Komiteti Ekzekutiv miratoi ndryshime të ngjashme në rregulloret e këtij sezoni të Champions League për femra duke lejuar regjistrimin e dy lojtareve të reja deri më 7 prill, në përputhje me rregulloret e FIFA-s dhe statusin e transferimeve të lojtarëve.”

Ky ndryshim në rregullore vjen si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Në të njëjtën kohë që janë ndërprerë kontratat e lojtarëve të huaj, klubet ruse janë përjashtuar nga çdo kompeticion, ndërsa FIFA ka hequr kombëtaren e Rusisë nga Botërori.

Për këto penalitete Rusia apeloi në CAS, megjithatë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la në fuqi vendimet e UEFA-s dhe FIFA-s deri në përfundim të plotë të hetimeve.