Të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt janar-shkurt 2022, treguan se eksportet e plehëruesve për bujqësinë shënuan rritje me mbi 1400 për qind, në një kohë që importet kishin pësuar rënie drastike, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë janar -shkurt 2022, sipas të dhënave të INSTAT, u eksportuan 1,1 miliardë lekë plehërues në krahasim me 62 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë importet në të njëjtën periudhë shënuan rënie me 59%. Në janar – shkurt 2022 u importuan 459 milionë lekë nga ky produkt që shërben si lëndë e parë në bujqësi nga 1,1 miliardë lekë që ishin importet në dymujorin e parë të vitit 2020.

Burimet nga tregu bënë të ditur se, tregtarët po rieksportojnë stoqet dhe furnizimet në Kosovë dhe Serbi prej mungesës së interesit në tregun vendas. Heqja e subvencioneve dhe vënia e TVSH mbi inputet, të kombinuara me çmimet e larta të plehëruesve në tregjet ndërkombëtare i bënë të papërballueshme blerjet nga fermerët shqiptare, shpjeguan të njëjtat burime.

Teksa e kundërta ndodhi në rajon. Qeveritë në Serbi dhe Kosovë rritën subvencionin për bujqësinë, ndaj vendet patën një kërkesë më të lartë të plehrave këtë vit. Pengesat për furnizime nga Rusia dhe Ukraina rritën kërkesën për stoqet shqiptare të plehëruese, të cilat nuk u shitën dot në tregun vendas.

Të dhënat reflektojnë situatën dramatike që po kalon bujqësia shqiptare kur për shkak të kostove të larta, fermerët këtë sezon kanë kryer më pak mbjellje si në sera dhe në fushë.

Sipas përllogaritjeve që ka bërë eksperti i bujqësisë Ilir Pilku, nga viti 2019 në vitin 2020, çmimi i një kilogram DAP u rrit me 86%, ureja me 117%, fungicidet me 33%, insekticidet me 33%, plehrat inorganike me 17% e etj. Zoti Pilku tha se çmimet e larta të inputeve rritën koston e prodhimit të një kilogram ne serë me 41 për qind. Për të prodhuar një kilogram domate në serë në vitin 2022 kushton 41 lekë nga 28 lekë që ishin në vitin 2019.

Në fillim të këtij viti, qeveria mori dy masa në dëm të bujqësisë.

E para, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%.

E dyta vendosja TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, nga zero për qind që ishin deri në fund të vitit 2021.

Sipas eksperteve të bujqësisë këto masa fiskale ndaj sektorit bujqësor u morën në një periudhë të vështirë pasi çmimet e lëndëve të para po rriteshin, ndërsa çmimet e ofruara për prodhimet bujqësore ishin në rastin më të mirë njësoj ose më të ulëta.

Stimujt u hoqën në një kohë që qeveria nuk kishte menduar një skemë të re kompensimi për fermerët duke bërë që shumë prej tyre prej humbjeve të larta të mos mbjellin për sezonin e ri.

Braktisja e serrës sikur edhe një sezon të vetëm, krijon hendek të madh në të gjithë zinxhirin bujqësor dhe më vonë kërkon kosto të dyfishta për ta rimbjellë./Monitor