Ulas Cokyigit 41-vjeç nga Turqia është arrestuar nga policia e Tiranës në kuadë të operacionit Taksim.

Sipas policisë turku ndodhej në arrest shtëpie në Tiranë për shkak se akuzohej për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në momentin e kapjes pasi ka thyer arrestin e shtëpisë, hetimet kanë zbuluar se ai ishte shpallur në kërkim nga policia e Stambollit për vrasje të kryer në bashkëpunim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese turke tashmë po vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Taksim”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Interpol Tirana.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksim”, në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimi drejt Turqisë, të shtetasit:

– U. C., 41 vjeç, banues në Tiranë, me shtetësi turke, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë verifikimeve të mëtejshme ka rezultuar se më datë 08.03.2022, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi zyra e Kryeprokurorit Turqi/Stamboll, ka lëshuar urdhër arrestin për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit U. C., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese turke, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.