Një 45 vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi është kapur brenda një lokali duke vënë skedina për ndeshje futbolli me anë të telefonit të tij.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fati i lojërave” pas hekurave ra shtetasi me inicialet P. A., 45 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË:
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, një tjetër rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi:
– P. A., 45 vjeç, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, ky shtetas u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në një lokal në rrugën “Petrit Radovicka”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.





