Megjithëse çështja po gjykohet në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë, sipërfaqja e tokës për të cilën pretendojnë pronësinë 4 familje vijon të mbetet mollë sherri.

Erlin Kacmoli, njëri prej anëtarëve të dy familjeve që deklarojnë pronësinë e një toke në lagjen nr.2 të qytetit, në zonën e Kodër Vilës, tha sot për “DurrësLajm” se disa topografë privatë kanë qenë paraditen në pronën e tij për të bërë matjet.

Sipas Kacmolit, dy familjet që pretendojnë pronësinë e oborrit dhe një pjese të shtëpisë së familjes së tij janë të vendosur të veprojnë, edhe pa e thënë fjalën e fundit gjykata.

“Kanë ardhur me mendjen që o duan ta marrin, o s’ka. Por dua të theksoj edhe njëherë, që kjo është një pronë e bllokuar, sepse çështja është regjistruar në gjykatën e rrethit Durrës dhe është në gjykim e sipër. Për këtë arsye, nuk duhet prekur”,- tha ai.

Në mesin e muajit shkurt, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës ndërhyri për të shembur muret rrethuese të dy familjeve Kacmoli.

Në deklaratat e një muaji e gjysëm më parë, dy familjet Kacmoli bënë të ditur se pretendentët e pronës së tyre janë në ndjekje penale.

“Ardi Kacani dhe familja Zalla janë në ndjekje penale për këtë pronën, se ka blerë një tokë në plazh dhe kanë marrë një certifikatë sikur e kanë këtu”,– tha në muajin shkurt kryefamiljari Aqif Kacmoli.

Por pavarësisht kundërshtisë së dy familjeve Kacmoli, IMT Durrës shembi rrethimet e kësaj prone.

Një muaj e gjysëm më pas, Erlin Kacmoli kërkon që fillimisht gjykata të japë verdiktin e saj mbi pronësinë dhe më pas palët e përfshira të ndërmarrin veprimet e tjera. Ndiqni prononcimin e tij të plotë në videon e mëposhtme.