Dy ditë pas disfatës së pabesueshme ndaj Maqedonisë së Veriut duke ndenjur jashtë Botërorit prej dy edicione radhazi, trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini ka reaguar sërish, teksa këtë e bën nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Instagram” me fjalë që duket se shmangin mundësinë e dorëheqjes nga pankina e të kaltërve:

“Ndonjëherë futbolli mund të jetë një metaforë e pamëshirshme për jetën. Verën e kaluar ne ishim në krye të Europës pasi përfunduam një nga më të bukurat në historinë e ekipit kombëtar.

Pak orë më parë u zgjuam në një nga pikat më dramatike. Kaluam nga gëzimi total në moment zhgënjyes. Është vërtet e vështirë ta pranosh, por pranimi i humbjeve në jetë është gjithashtu pjesë e një rruge të shëndetshme të rritjes njerëzore dhe sportive. Le të marrim pak kohë për të reflektuar dhe kuptuar qartë. E vetmja lëvizje e duhur tani është të ngrini kokën dhe të punoni për të ardhmen.”, shkroi Mançini.