Prej më shumë se 2 javësh, në lagje të ndryshme të bashkisë Durrës po mbillen pemë dhe lule dekorative, nga punonjësit e Ndërmarrjes Rruga.

Përmes përgjigjes që bashkia i ktheu kërkesës për informacion bërë nga “DurrësLajm” mësojmë se gjatë kësaj periudhe po mbillen në qytet 505 pemë (bimë dhe lule dekorative), të cilat pritet të shtojnë sipërfaqet e gjelbëruara në hapësirat urbane.

Krahas mbjelljes të pemëve të reja, rëndësi po i kushtohet zëvendësimit të atyre të dëmtuara. Të njëjtat burime saktësojnë se janë 212 pemë dekorative të dëmtuara, të cilat po zëvendësohen me fidanë të rinj.

Krahas palmave të llojit Washingtonia Robustra, të cilat janë të përqendruara kryesisht në sheshin “Liria”, bulevardet “Dyrrah” dhe “Epidamn”, shëtitoren “Taulantia” dhe rrugën “Pavarësia”, në qytet po mbillen edhe lloje të tjera pemësh dekorative si leofata, kamelia, gingo bilboa, magniolia Grandifiora, bli, rrap dhe oleandera.

Pemët që po mbillen në qytet janë prokuruar përmes tenderit të zhvilluar në muajin tetor 2021, i cili u fitua nga kompania ALBGarden shpk në vlerën 14.300.000 lekë të reja (faksimilja në fund të shkrimit). Për këtë tender, bashkia Durrës kishte vendosur fondin limit prej 16.628.000 lekë.  

Rritja e tarifës së gjelbërimit

Zvogëlimi i sipërfaqeve të gjelbëra në qytet dhe lagjet periferike ka qenë një shqetësim i artikuluar jo pak herë nga qytetarët e Durrësit. Betonizimi i qytetit për shkak të ndërtimeve pa kriter jo pak herë është përmendur në artikujt e medias së shkruar apo në kronikat televizive.  

Krahas mungesës së hapësirave të gjelbëra për të kaluar kohën e tyre të lirë, familjet e bashkisë Durrës do të ndeshen këtë vit edhe me tarifën e shtuar të gjelbërimit. Nga një krahasim që “DurrësLajm” i bëri paketave fiskale të vitit 2021 dhe 2022, vihet re rritja e konsiderueshme e kësaj tarife.

Në tabelat e mëposhtme pasqyrohen tarifat e 2021 dhe 2022:

Ndërsa një vit më parë, tarifa e gjelbërimit ishte në vlerën 200 lekë për familjet në qytet dhe 50 lekë për familjet në njësitë administrative (ish-komunat), këtë vit ajo është bërë 1000 lekë për familjet e qytetit dhe 500 lekë për familjet e Ishmit, Rrashbullit, Katundit të Ri, Manzës dhe Sukthit.

Po t’i shtosh këtu edhe rritjen e tarifës së ndriçimit dhe pastrimit, shuma e përmuajshme e taksave që qytetarët e Durrësit i paguajnë bashkisë përmes faturës së ujësjellësit ka pësuar një ndryshim të ndjeshëm.

Premtim për 10 mijë apo 15 mijë pemë?!

Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak Durrës për vitin 2021, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, deklaroi se në 3 vitet e ardhshme (2022-2024) në qytetin bregdetar planifikohen të mbillen më shumë se 10 mijë pemë, ndërsa në buxhetin afatmesëm është planifikuar që të akordohet shuma 150 milionë lekë për blerjen e këtyre pemëve, për të shtuar kështu sipërfaqet e gjelbëra në qytet.

Po ndërsa kryebashkiakja Sako deklaroi në mbledhjen e këshillit mbjelljen e 10 mijë pemëve në 3 vitet e ardhshme, kjo shifër ndryshoi vetëm 2 muaj më vonë, gjatë fushatës elektorale.

Në postimet në rrjete sociale, kryetarja e bashkisë premtoi mbjelljen e mbi 15 mijë pemëve, pra 5000 pemë më shumë nga çfarë kishte deklaruar po vetë në fund të dhjetorit 2021!

Duke pasur parasysh faktin se me tenderin e fundit në vlerën më shumë se 140 milionë lekë të vjetra u blenë rreth 505 pemë dekorative dhe në një kohë kur bashkia planifikon që të shpenzojë çdo vit 500 milionë lekë për shtimin e gjelbërimit në qytet duket paksa e vështirë që me këtë shumë të blihen 5000 pemë çdo vit!!!

M.B.