Një Operacion i përbashkët i forcave RENEA dhe policisë vendore ka arrestuar në Fier të shumkërkuarin Nuredin Dumani.
Nuredin Dumani është arrestuar si autor i dyshuar për atentatin e ndodhur pasditen e sotme në Elbasan.
Ai ka qenë i plagosur dhe i armatosur kur i janë vënë prangat në Fier.
Nuredin Dumani akuzohet për disa vrasje në Elbasan.
Ai akuzohet se më 17 shtatori 2020, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit vrau në lokal duke pirë kafen Bujar Çela, vëllai i të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare Talo Çelës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasin Nuredin Dumani, 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Nuredin Dumani nuk është një emër i padëgjuar, 37-vjeçari dyshohet të jetë përfshirë gjithashtu edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.
Dumani është i akuzuar edhe si autori i vrasjes së vëllezërve Haxhia, Besmirit dhe Viktorit, në maj të 2020 në Durrës.
Për këtë ngjarje është në kërkim dhe Talo Çela, vëllai i Bujar Çelës, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.
Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës.
Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.
Gjithashtu mbi 37-vjeçarin rëndon edhe një vrasje tjetër, sipas dyshimeve të policisë, Nuredin Dumani dyshohet të jetë edhe ekzekutor i Klevis Kapllanit në Rrogozhinë.





