Një sasi e konsiderueshme heroine u sekuestrua nga Policia greke, duke çuar në pranga një 28-vjeçar shqiptar. Lënda narkotike prej 30 kilogramësh u zbulua në një banesë në Athinë, të cilën shqiptari, e kishte marrë me qira nga një tjetër shtetas shqiptar banues në kryeqytetin grek.
Brenda ne banesë janë gjetur dhe sekuestruar 63 pako qe përmbanin 30 kg 463 gramë heroinë. Mediat greke shkruajnë se nga përllogaritja e shitjes së saj me pakicë, trafikantët do të përfitonin minimalisht 500 mijë euro.
Sipas vlerësimeve të Policisë helenike, 28-vjeçari ka vendosur ta fshehë përkohësisht drogën në një apartament në Athinë, për të vështirësuar gjetjen e heroinës deri në shitjen e saj në sheshet e “vdekjes” në Athinë.
Në fakt, Policia konstatoi se organizata ka bërë “teste” përpara shitjes së drogës, duke organizuar edhe grupin e shpërndarësve të vegjël të organizatës kriminale.
I arrestuari është dërguar në Prokurorinë Publike për Kundërvajtje të Athinës.





