Në kuadër të operacionit policor “Alias” për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, janë vënë në pranga 3 qytetarë dhe është proceduar në gjendje të lirë një tjetër.
Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan:
S. P., 68 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”;
B. B., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, të kryera në bashkëpunim;
P. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, kryer në bashkëpunim, shtetasi B. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik-radiolog pranë një spitali privat në Tiranë.
Gjatë muajit Mars, këta qytetarë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi, dokumente mjekësore dhe shkollore, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 dokumente identifikimi (pasaporta), të dyshuara të falsifikuara, vizë angleze e dyshuar false, 1 laptop dhe një sasi e konsiderueshme parash. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.





