Policia e Lezhës ka arrestuar shënjestrën e atentatit të djeshëm me lëndë plasëse që shkaktoi një shpërthim pranë një lokali në Lezhë. Mësohet se personi që ishte shënjestër Sokol Pepushi është larguar nga vendi menjëherë pasi në drejtim të tij, 46-vjeçari Admir Zogaj ka hedhur një ndezës granate.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sokol Pepushi, 36 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Admir Zogaj, 46 vjeç, banues në Manati, Lezhë.

Ditën e djeshme, rreth orës 13:00, në afërsi të një restoranti në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, shtetasi Admir Zogaj ka hedhur një ndezës granate në drejtim të shtetasit Sokol Pepushi, e cila ka shpërthyer pa shkaktuar dëme në njerëz.

Pas kësaj ngjarjeje, shtetasi Sokol Pepushi është larguar pa njoftuar Policinë. Vijon puna për kapjen e shtetasit Admir Zogaj.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, në ngarkim të shtetasit Admir Zogaj, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasit Sokol Pepushi.