Teuta dështoi në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës, duke u mundur 1-2 në “Niko Dovana” ndaj Laçit. Rikthimi në Durrës pas tetë muajsh nuk u solli fat “djemve të detit”, por goli në minutat shtesë i Bllagoja Todorovskit mban gjallë shpresat për një përmbysje në ndeshjen e kthimit që do të luhet më 13 prill në Laç. 36- vjeçari i Teutës flet për shanset që ka tashmë skuadra pas humbjes në sfidën e parë. Todorovski shpreh bindjen se Teuta do të bëjë gjithçka për kualifikimin në finale.
Bllagoja, humbët në ndeshjen e parë ndaj Laçit, por duket se ai gol që shënuat në minutat shtesë mban gjallë shpresat për të tentuar kualifikimin. Sa besoni te përmbysja?
Po, ai gol në fund ishte i rëndësishëm, duke ditur faktin që është hequr edhe rregulli për golin në fushë kundërshtare. Pavarësisht humbjes 1- 2, kemi shanset tona të provojmë gjithçka në ndeshjen e kthimit. Do të luajmë të gjitha mundësitë që kemi për të kaluar në finale dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur. Kam shumë besim te fitorja në Laç dhe këtë e kemi treguar edhe në kampionat.
OK, por për të shkuar te kualifikimi u duhet të fitoni me 2 gola diferencë. Si mund ta arrini këtë?
Gjithçka është e hapur, pasi edhe me një fitore 0-1 e çojmë ndeshjen në shtesë. Megjithatë, nëse do të bënim një triumf me dy gola diferencë në një fushë të vështirë si ajo e Laçit, do të ishte një mrekulli. Kemi besim në forcat dhe cilësitë tona. Siç e thashë edhe më lart, goli në fushë kundër shtare nuk të favorizon më, kështu që rezultati 1-2 të lë me shpresa dhe jam i bindur se të paktën një gol do ta shënojmë në Laç dhe më pas do t’ia dalim për kalimin e turit.
Çfarë nuk shkoi në ndeshjen e parë dhe ku mendoni se duhet të korrigjoheni?
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo aspekt, pasi në futboll mjafton një rast që të ndëshkohesh. Problemi në ndeshjen e parë ishte që e pësuam shumë shpejt golin. Tashmë do të ishte një plus shumë i madh për ne nëse shënojmë në Laç. Ajo që duhet të korrigjojmë është që të jemi sa më kompakt në mbrojtje dh të shfrytëzojmë rastet që do të kemi.
E keni menduar dështimin këtë sezon, pasi tashmë rrezikoni seriozisht të mbeteni jashtë Europës?
Kjo nuk do të ndodhë. Kur themi që mund të kualifikohemi me Laçin, nuk e them për të kaluar radhën. Pavarësisht se humbëm, mendoj se do të jetë një tjetër histori në kthim. Do të luajmë si në një finale në Laç dhe e përsëris që Teuta do të bëjë gjithçka për kualifikimin. Është shumë e rëndësishme të jemi në Europë dhe shpresat tona janë nëpërmjet kupës, pasi në kampionat jemi shumë mbrapa.