Vijojnë hetimet për vrasjen e biznesmenit Iljaz Çali mbrëmjen e së dielës në autostradën Tiranë – Durrës.
Një nga pistat e hetimit është dhe konflikti i lindur nga tregtia e Kromit në Bulqizë.
Viktima ka qenë shok i ngushtë i Gjin Nikës, i ekzekutuar më 5 prill 2014 në Fushë-Krujë, si pasojë e luftës së përgjakshme të Kromit.
Iljaz Çali ishte besimtar madje për shkak të besimit që përfaqësonte në shtëpinë e tij në zonën e Rinasit kishte ndërtuar dhe një xhami të vogël.
Vrasja e Iljaz Çalit sipas policisë së Tiranës, lidhet vetëm me vijueshmërinë e atentateve të njëpasnjëshme në luftën për kapjen e galerive të kromit në zonën e Bulqizës, informon Ora News.
Biznesmeni Çali prej janarit 2011 disponon 50 % të aksioneve në kompani Çali-Metal.
Kompania ushtron aktivitet nga një zyrë në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, dhe 50 për qind te aksioneve i zotëron i vëllai Zeqir Çali.
Policia gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme ka shoqëruar dhjetëra persona, por pa pasur prova konkrete për identifikimin e autoreve.
Deri në këtë fazë të hetimit, çështja vijon të mbetet e mjegullt ndërsa pa autor ka mbetur edhe ngjarja e ndodhur 8 vite më parë kur u ekzekutua shoku i viktimës, Gjin Nika.





