Kafka dhe eshtrat e gjetura pasditen e djeshme në Fushë Kuqe të Kurbinit janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Ekspertët e policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe paraprakisht dyshohet se ato i përkasin një të riu që mund të ketë humbur jetën 10 vitet e fundit.

Për të zbuluar diçka të tillë, do të verifikohet e gjithë lista e personave që rezultojnë të zhdukur. Dyshimet janë se ato i përkasin 16-vjeçarit nga Mamurrasi Mariglen Gjonaj i zhdukur në vitin 2015.

Familjarët e të riut në fjalë do të jetë të parët të cilëve do u merret ADN për të bërë verifikimet e duhura, ndërsa ekzaminimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vdekje natyrale.

Si u zhduk Mariglen Gjonaj

Mariglen Gjonaj, nxënës i klasës së 10-të në gjimnazin e Mamurrasit, ka shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë më 18 maj. Por ai nuk është kthyer në orarin e zakonshëm dhe as në darkë, çka ka vënë në alarm familjen e tij.

Ditën që adoleshenti u largua nga banesa për në shkollë nuk kishte marrë as telefonin me vete. Nëna e tij, Luljana Gjonaj i bëri në atë kohë apel shtetit ta ndihmojnë për të gjetur të birin. “Djali është zgjuar në mëngjes dhe më tha se kishte aktivitet atë ditë shkolla e tij.

Mori dhe makinën e vëllait të tij dhe doli. Më tha se do të vij shumë shpejt. Ka qenë data 18 maj kur ai është larguar dhe nuk është kthyer. Kërkuam gjithë natën, duke pyetur njerëzit tanë për të, por me asnjërin ai nuk kishte pasur kontakte dhe nuk e kishin parë. Te nesërmen kemi njoftuar menjëherë policinë dhe kemi bërë edhe denoncimin për humbjen e djalit”, u shpreh nëna e 16- vjeçarit, Luljana Gjonaj.

Sipas saj, si fillim policia u vu në lëvizje, por nuk mundën që të bien në gjurmët e të birit dhe më pas dita-ditës kjo çështje po harrohej prej tyre.

“Djali kur është larguar ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrenjtë në dorë Roleks të cilat kapnin një vlerë 10 milion lekë të vjetra. Unë dyshoj se djalin ma kanë rrëmbyer për t’i marrë bizhuteritë. Kemi shkuar disa herë në polici, por mua më ka humbur besimi tek blutë e Kurbinit, pasi djali ka dy muaj i humbur dhe ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo vdekur”, ka thënë ajo.

/Panorama